Një foshnje në Kosovë, disa ditë pas lindjes, është diagnostikuar me koronavirus, bënë të ditur autoritetet shëndetësore. Drejtori i Klinikës Neonatologjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Xhevdet Gojnovci, tha për Radion Evropa e Lirë se foshnja është infektuar në shtëpi.

“Foshnja është pranuar me datën 6 korrik në Klinikën e Neonatologjisë me temperaturë. Ka rezultuar pozitive me koronavirus. Aktualisht është nën kujdes intensiv në Klinikën Neonatologjike, nën mbikëqyrje të plotë, në hapësirën e ndarë vetëm për foshnjat me COVID-19 [sëmundjen që e shkakton koronavirusi]”, tha Gojnovci.

Foshnja ka lindur me datën 22 qershor të këtij viti. Gojnovci tha se edhe nëna e saj është e infektuar me koronavirus, porse ajo ndodhet në vetizolim në shtëpi.

Në muajin prill edhe një foshnje 5 muajshe nga Kamenica është infektuar me koronavirus. Në Kosovë, që prej shfaqjes së rasteve të para më 13 mars e deri më 8 korrik, janë konfirmuar gjithsej 4,100 raste pozitive. Prej tyre, 86 pacientë kanë humbur jetën, ndërsa 2,063 janë shëruar.

Top Channel