Kryemadhi e Basha: Çdo alibi për të prishur dakordësinë e 5 qershorit, tentativë për të vrarë dialogun politik

10/07/2020 13:07

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi së bashku me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha kanë zhvilluar një takim virtual me Raporteren për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, znj. Isabel Santos.

Me anë të një postimi në Facebook, Kryemadhi shkruan se në kët takim online u rikonfirmua dhe njëherë që Opozita e Bashkuar përtej prioritetit për të përballuar sfidën ndaj Covid-19 dhe pasojave ekonomike të saj, mbetet e angazhuar plotësisht në përmbushjen e të gjitha kushteve që kanë të bëjnë me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Ndër të tjera Kryemadhi shkruan se në një Parlament me vetëm 122 deputetë, mazhorancës i nevojiten vetëm 73 vota për të miratuar ligjin e ri elektoral. Ndaj çdo alibi për të prishur dakordësinë e 5 qershorit është thjesht tentativë për të vrarë dialogun politik në vend dhe perspektivën evropiane të Shqipërisë.

Postimi i Kryemadhit:

Nën sfidën e një takimi virtual bashkë me z.Basha zhvilluam sot një bashkëbisedim miqësor me Raporteren për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, znj. Isabel Santos.

Rikonfirmuam dhe njëherë që Opozita e Bashkuar përtej prioritetit për të përballuar sfidën ndaj Covid-19 dhe pasojave ekonomike të saj, mbetet e angazhuar plotësisht në përmbushjen e të gjitha kushteve që kanë të bëjnë me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Edhe pse kryeministri i vendit provokoi opozitën dhe qytetarët shqiptarë me shembjen e Teatrit Kombëtar në mes të pandemisë, përmes vendimeve të falsifikuara, përdorimit të policisë private pa asnjë numër identifikimi dhe ushtrimit të dhunës së paprecedentë kundrejt qytetarëve dhe artistëve, Opozita e Bashkuar ishte e vendosur të finalizonte Reformën Zgjedhore, në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar, për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të lira në vend dhe për të plotësuar një nga kushtet thelbësore për çeljen e negociatave të Shqipërisë.

Në një Parlament me vetëm 122 deputetë, mazhorancës i nevojiten vetëm 73 vota për të miratuar ligjin e ri elektoral. Ndaj çdo alibi për të prishur dakordësinë e 5 qershorit është thjesht tentativë për të vrarë dialogun politik në vend dhe perspektivën evropiane të Shqipërisë.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel