Vitrina e Librit/ Librat që më rritën- Frrok Çupi: Ju rrëfej për epokën e “Hyut” libër dhe atëherë kur Camaj më mahniste

09/07/2020 12:37

Letërsi dhe gjuhë së bashku? Letërsi, gjuhë dhe komunikim së bashku? Apo të tria lëndë më vete? Këto pyetje, më sillen ndërmend sa herë më duhet të bashkëbisedoj me njerëz të ditur të këtij vendi. Rrallë e më rrallë po gjinden e akoma dhe më rrallë i takoj sot. Kjo rubrikë që e pata nisur gjatë pandemisë nisi si një mërzi e brendshme të asaj që po jetonim çdo ditë.

Dhe sigurisht pasi iu riktheva klasikëve mbi epidemitë, mu duk kjo përpjekje e imja deri diku inkurajuese për të ringjallur kulturën e leximit në Shqipëri, në një kohë kur vendin e bibliotekave e kanë zënë mediatekat, botimet eBook, libraritë virtuale dhe diskografitë. Një ambicje e vështirë për të ringjallur në vend leximin, në një kohë kur të gjithë thonë se leximi është vrarë.

Sot zgjodha një emër të njohur në fushën e gazetarisë dhe publicistikës. Një mendje të lirë dhe të hapur për cdo brez e gjini. Dikur në ditët e para të demokracisë, vrapoja shkallëve herët në mëngjes t’i lexoja shkrimet që rrëshqisnin plot frymë, sot i marr një bisedë mbi atë që dua më shumë. Cili është ai?

FRROK ÇUPI

Edukimi: Universiteti i Tiranës, Tiranë; Fakulteti i Shkencave Politike e Juridike, Gazetari

Profesioni dhe jeta politike:

Gazetar profesionist prej vitit 1974, në gazetat e përditshme ‘Bashkimi’ dhe ‘Zëri i Popullit’. 1984- 1990, i shpallur disident dhe kundërshtar politik i regjimit komunist, në periudhë riedukimi në Spaç, Mirditë.

Regjimi i mohon të drejtën e botimit në shtypin dhe librin e kohës. Gjatë kohës kam përdorur pseudonime me të cilat ka nënshkruar shkrimet e tij, duke kombinuar dy emrat e fëmijëve të mi: herë ‘geldimiri’ e herë ‘mirigeldi’, duke i shpëtuar censurës së kohës. Në 5 Janar 1991, themelues i gazetës së parë të lirë dhe antikomuniste ‘Rilindja Demokratike’. Kryeredaktor i parë. Bashkëthemelues i Partisë Demokratike të Shqipërisë. Drejtor i Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës-1991.

Karriera:

Autori i mijëra artikujve në media, reportazhist, reporter, editorialist, columnist, drejtor dhe kryeredaktor në disa media shqip si Koha Jonë, Politika, Shqip, Korrieri, revista Klan; themelues dhe drejtor i gazetës Agon. Editorialist dhe kryeredaktor i gazetës ‘Koha Jonë’. Editorialist në gazetat ‘Korrieri’, ‘Shqip’ dhe ’24 orë’. Drejtor i Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH), agjencia kombëtare e Lajmeve.

Autor dhe gazetar permanent në shtypin e huaj: Human Rights Sans Frontiers, Bruksel; Gazeta ‘Makedonia’ në Selanik; Herald Tribune ( suplimenti Kathemirini me qendër  në Athinë)

Themelues dhe drejtor i gazetës së përditshme ‘Agon’, gazeta e parë ‘Free- Press’ në Shqipëri.

Themelues dhe drejtor i Informacionit i Televizionit ‘Agon Channel’. Bashkëthemelues i SEEMO (South Eastern  Media Organization) me qendër në Vjenë, degë e IPI- International Press Institute

President dhe themelues i degës shqiptare të organizatës ‘Gazetarët Evropian’ me qendër në Berlin, shtator 1999. Drejtor i gazetës online ‘Veritas Albania’

Librat:

Vlora 1997 – esse

Kthim në vitin 1991- gazetari

There is no ëar, neither peace

E pashë shtetin duke rënë- dëshmi publicistike

Qeni me tri këmbë- Esse

Vjen Trump- novelë politike

Monika Stafa: A e mban mend cili është libri më i hershëm që ke lexuar?

Frrok Cupi: Kur ka qenë?… Kjo më çudit edhe mua, sot e kësaj dite. Si munda ta mbaroj së lexuari gjithë atë libër: I trashë nja 600 faqe, mendoj. I lodhshëm sa nuk ka. Ishte një roman, titulli ‘Për Mëmëdhenë’, i shkrimtarit Thoma Kacorri, një patriot e shkrimtar shqiptar që jetonte në Sofje. Isha në klasën e katërt. Gjithë stinën e verës u rraskapita. Ku gjeja një hije a një lëndinë me bar, shtrihesha me librin. Kisha parë mësuesin tim që sapo na përcillte pas mësimit, ulej nën një hije, me libra në dorë… Po a mund të imagjinoni një fëmijë të klasës së katërt, që për herë të parë provon të lexojë, dhe për herë të parë një roman; një roman si ai ku sot nuk mbaj mend asgjë, veçse çeta partiotike që bashkoheshine i binin njëra- tjetrës… Por ama e kam lexuar deri në fund. Askush nuk më detyroi, por sfidoja veten. Njësoj si të të detyrojnë të qërosh kile të tëra me oriz, nga orizi i kohës i prodhuar në vendin tonë…

Nuk e di a më bëri mirë, apo keq për moshën kjo sprovë ’orizi’, por edhe nuk kisha zgjedhje tjetër, atëherë nuk kishim libra për fëmijë. Më vonë kur lexova ‘Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit, të Bedri Dedjes, ose revistën ‘Fatosi’…, ah!, këto më dukeshin si një gotë me ujë të freskët pas romanit të vështirë të Kacorrit. Ja kështu është, si e pabesueshme!

MONIKA STAFA: Përveçse i lexoje, ç’ marrëdhënie tjetër kishe me librat?

Frrok Cupi: Marrëdhënia me librat? Ka ndryshuar nga njëra epokë në tjetrën. Kur isha fëmijë, dhe libri i Kacorrit mu hap aty ku lidhen librat. Njeriut të parë që zbriti në qytet i kërkova të ma qepte diku në ndonjë vend që ka qyteti. E prita në ankth njeriun derisa të kthehej.

Epokë tjetër është ajo e bibliotekave. Diku nga vitet e parë të gjimnazit kam marrë në bibliotekë ‘Iliadën’ dhe e kam lexuar për një kohë të gjatë. Më duket se e kishim edhe detyrim shkollor. Por derisa e dorëzova në bibliotekën e qytetit, e kam përjetuar keq, kisha frikë se do të më humbte dhe e mbaja me vete gjithë orët e ditës. Epoka e ‘hyut’ libër. Këtë e kemi përjetuar ndoshta dy dekada, nga vitet ’60 deri ’80. Gjithë antenat tona drejtoheshin të lajmi cili libër do të dalë në librari. Në fakt i merrnim vesh titujt dhe prisnim para derës së librarisë, me ditë të tëra, që nga mëngjesi herët. Në bulevardin ‘Stalin’ (sot Zogu i Parë)  ishte libraria më e madhe, aty kishim miqësi me librashitësen dhe besoja se ajo të parit mua më njoftonte për librat. Në fakt, si me mua sillej edhe me të tjerë, ishte aq e sjellshme dhe zonjë grua, secili mendonte se e kishte linkun vetëm me të. Libraria ka qenë në një pallat tëmrekullueshëm italian që tani nuk ekziston, por që aty derisa mbërrija në redaksinë e gazetës mund të përplasesha me këdo, sepse nisja të lexoja librin.

Pastaj epoka para viteve ’90. Nisëm të lexonim libra të ndaluar. Kamy, Sartri, madje edhe Rexhep Qosja ishte i ndaluar. Mes nesh ishte krijuar një rrjet i pa dukshëm i përcjelljes së librit të ndaluar. Unë nuk e dija kush e ka prurë librin ‘te vendi’, as ai tjetri se kush e risolli.  (Vendi im ishte diku në një qoshe te dyqani i qumështit afër qytetit të Studentëve). Aty e lija prapë librin pas tre ditësh, me çdo kusht- pas tre ditësh. Do ta merrte tjetri. Marrëdhënie me një mik të shtrenjtë që kam frikë se po vdes.

MONIKA STAFA:  Cilët janë librat që ndikuan në personalitetin tënd?

FRROK CUPI: S’e besoj se më ka ndikuar aq shumë ose drejtpërdrejt libri. Librat po! Por jo një libër e jo një hero i veçantë. Çuditem sa herë thonë se ‘i kam ngjarë ‘heroit të librit ‘Iks’’. Me mua nuk ka ndodhur. Por jam shumë i sigurt se po të mos kisha lexuar ata libra që kam lexuar, sot nuk do të isha ky që jam. Ky është ‘të ndikohesh’, besoj, siç thoni ju.

MONIKA STAFA:  Cili është libri që të ndryshoi jetën?

FRROK CUPI: Ka disa libra që më kanë bërë të them “Uau!’, por jo se më kanë ndryshuar. Pas moshës së re, nuk kanë qenë ngjarjet e librit ato që më kanë çuar më këmbë; më shumë ka qenë stili i shkrimtarit, magjia e të shkruarit. Ja t’u them, për shembull, se këtë e ka bërë në fillim, Nikolaj Ostrovski, tashmë i ‘mallkuar’ si shkrimtar revolucionar sovjetik. Jo për ngjarjet tronditëse revolucionare, por për mënyrën si përshkruan në përshtatje me situatën. Ka një moment kur heroi i tij hyn në sallën e operacionit, dhe aty ndryshon edhe stili i shkrimtarit; shmanget nga rruga e të përshkruarit, nis frazën e shpejtë- shumë të shpejtë, fraza është e palëmuar, njerëzit flasin me shkurtime…. Si një bisturi. Sepse është sallë operacioni. Stili i ‘operacionit’ më ka tërhequr dhe më tërheq aq sa mund të them se më lë gjurmë. Por nuk është e thënë se shkrimtarët  e mëdhenj janë vetëm ata që kanë fituar çmimin Nobel.

Gjurmë tek unë kanë lënë shkrimtarët tanë të mëdhenj Kadare dhe Agolli. Nuk e harroj ditën kur mbarova së lexuari ‘Gjeneralin’ e Kadaresë. Isha ende mjaft i ri. Gati më bëri të mendoj se Lufta është njerëzore; ndryshe nga çfarë kishte transmetuar filozofia e regjimit të kohës- sikur luftën e kishin bërë ‘luanët’ dhe jo njerëzit. Romani i vetëm i Rexhep Qosjes ‘Vdekja më vjen prej syve të tillë’ më ka bërë të marr frymë fort dhe për dy a tre ditë të mos lexoj gjë tjetër. Më ka lënë gjurmëKamy me ‘E huaj’, që e lexova fshehurazi, atëherë kur nuk kishte më qumësht në dyqan, por ne dilnim për librat. Të zihet fryma duke e ndjekur Kamynë që udhëton drejt së ëmës. Më ka lënë gjurmë libri i shkurtër i francezit Patrick Modiano, i cili fitoi edhe Nobel në vitin 2014. Ngjarje që ne i jetojmë përditë, por kur i lexon nga dora e Modiano, mrekullohesh. Pra ka vetëm 100 e ca faqe, jo më shumë. Janë disa shkrimtarë të epokës sonë, sfidë e gjallë.

MONIKA STAFA:  Po libri ose librat që të ndikuan më shumë për të shkruar?

FRROK CUPI: Kjo më ndodh përditë, edhe pse kam mbi 50 vjet që shkruaj, nuk më vjen rëndë ta them: Kur lexoj disa shkrimtarë, diçka më mbetet edhe në dinamikën e të shkruarit.

Por fillimisht ka qenë një ngjarje që ua tregoj: Isha në vitin e fundit të Fakultetit të Gazetarisë. Më kishte rënë në dorë një libër i Patrik Kesel, shkrimtar francez, me titull ‘Njeriu me të zeza’. Ai përshkruante jetën në një redaksi gazete. Po ç’kam hequr për t’i ngjarë ndonjërit nga personazhet! E nisa me një udhëtim në Veri të vendit, ndalova në Fushë Arës e pastaj në fshatrat e Kukësit. Kam bërë çmos që të jetoja sipas stilit të gazetarit të përshkruar në libër, edhe pse ata ishin gazetarë lufte, gazetarë tereni, redaktorë, e ku di unë… Tani është për të qeshur.

Por më ndikojnë shumë autorë, padyshim, madje autorë edhe të pa stërnjohur si ‘gjigandë’. Pa lexoni një shkrimtare spanjolle, Julia Navarro. Një gazetare dhe shkrimtare që e sjell historinë e Luftës së Spanjës me një stil të magjishëm. Më mban lidhur stili i ‘ftohtë’, i Martin Camaj. Po Dubravka Ugresic, një autore kroate, autore e disa romaneve, çfarë mënyre të shkruari! Ka autorë kaq pak të njohur, që fshehin një stil mahnitës.

MONIKA STAFA:  Ç’ libër po lexon aktualisht?

FRROK CUPI: Hahaaaa! Sa pyetje klishe! Megjithatë më pëlqen, se mund të mos kisha asgjë duke lexuar dhe të thoja ‘asgjë’. Por kam librin e një autoreje shumë të panjohur për ne, është greke, por përshkruan historinë e ‘turqve të mirë’. Kjo është Lena Manda dhe romani titullohet ‘Theanoja, ujkonja e Stambollit’. E kam marrë edhe një herë në dorë para ca kohe, por pse më mbeti pa mbaruar…

MONIKA STAFA:  Sipas teje, cili është libri, më padrejtësisht i mbivlerësuar?

FRROK CUPI: Për fat të keq këta janë shumë libra, pafundësisht shumë. Pafundësisht janë librat e autorëve që mbajnë nga pas ndonjë ekran televizioni, këta shkruajnë dokrra, por i shesin për vlera. I shet industria e propagandës dhe i blejnë ata që nuk kanë lexuar as lexojnë kurrë libra. Lloji tjetër i librave ‘padrejtësisht të mbivlerësuar’janë librat me subjekt fisin e njerëzve të pasuruar këto vite. Këta bëjnë ceremoni madhështore dedikuar jo librit por fisit, iu fusin në duar nga një libër të ftuarve të shumtë, dhe bëhen ‘bestseller’. Copë- copë janë.

Panairi i Librit është kthyer në një ‘panair të kotësive’ përderisa Ismail Kadare ndodhet në fund të listës, ose edhe nuk njihet më si shkrimtar me vlerë.

MONIKA STAFA:  Libri i fundit që të ka bërë të qeshësh?

FRROK CUPI: Mund të them se as ‘Ushtari i mirë Shvejk’ nuk më ka bërë për të qeshur; më ka bërë të mendohem gjatë. E kam vizituar birrarinë që sot ka emrin Shvejk në Pragë, ku rrinte Hashek, dhe më ka imponuar solemnitet. Është një shkrimtar i madh dhe vepër shumë serioze. Në letërsinë shqipe, romani i Dritëro Agollit, me titull ‘Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo’ nuk ka të dytë për nga ky lloj libri.

MONIKA STAFA: Libri që nuk ke arritur ta përfundosh?

FRROK CUPI: Edhe këta janë libra pa fund. Më bien në dorë dhjetëra a qindra libra nga vetë autorët. Më vjen keq se, shumicën, nuk i lexoj dot deri në fund. Ose më mirë po të them se me një lexim tangjent i kam lexuar të gjithë. Por më kanë mbetur pa lexuar disa libra me shumë vlerë. E kam marrë dhe e kam lëshuar ‘Diplomacinë’ e Henry Kissinger. Ky nuk lexohet si çdo libër, lexohet nga 10 faqe. Por kështu më ka mbetur rrugës. Kam edhe dy tre libra për Qytetërimet (Francë, Spanjë, Itali, Kristianizëm).

MONIKA STAFA:  Libri për të cilin të vjen turp që nuk ke arritur ta lexosh ende?

Po, e kam një ndjesi të tillë; ndoshta jo turp, por droje se nuk do ta marr më në dorë. Ky është Lufta dhe Paqja e Leon Tolstoit. Edhe ky ka një histori si Thoma Kacorri. Isha shumë i ri për ta kuptuar ‘Luftën…’, aq më tepër që libri kishte katër volume. As aristokracinë nuk e kuptoja. Më mbeti në mes, tani nuk guxoj ta rimarr…. Ndoshta do ta rimarr.

MONIKA STAFA: Libri që dhuron më shpesh?

FRROK CUPI: Dhuroj pak libra, ose dhuroj aq pak sa pak njerëz ka që kënaqen me këtë lloj dhurate. Por më shumë dhuroj e më dhurojnë brenda familjes. Kur kam rast që mendoj të dhuroj libër, më vjen një mendim kundërshtues: ‘Po sikur miku im ta ketë blerë!?. Kot, në fakt.

Top Channel