Protestat kundër izolimit në Serbi/ Reagon Vuçiq: Kërkojnë të dobësojnë Serbinë para dialogut

09/07/2020 01:02

Pas protestave të dhunshme të një dite më parë, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, thotë se ato kishin si qëllim të dobësonin pozicionin e Serbisë para bisedimeve në Paris dhe Bruksel. “Më shumë detaje do të bëhen të ditura pasi shërbimet tona të bëjnë një analizë të ngjarjeve”, tha Vuçiq në një konferencë për shtyp në Beograd, një ditë pasi protestuesit sulmuan ndërtesën e parlamentit serb, për të kundërshtuar planet për rivendosjen e ndalimit të qarkullimit si masë kundër pandemisë.

Incidentet, në të cilat u plagosën dhjetëra policë dhe civilë, ndodhën dy ditë para se presidenti i Serbisë të takohet në Paris me homologun e tij francez, Emmanuel Macron me të cilin pritet të bisedojë për dialogun Kosovë-Serbi. Ndërkohë më 10 korrik është paraparë një video-samit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të cilin e kanë organizuar presidenti Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë më 12 korrik pritet të takohen në Buksel, ngjarje kjo që do të shënojë edhe rifillimin e dialogut ndërmjet dy vendeve, i ndërprerë në fund të vitit 2018. Presidenti serb tha se në këto takime do të “luftojë për Kosovën”.

Protestat në Beograd shpërthyen pasi Vuçiq, të martën, paralajmëroi se mund të rivendosen kufizimet në Beograd, për shkak të përkeqësimit të situatës epidemiologjike. Megjithatë, sot ai tha se shtabi i krizës me siguri nuk do të propozojë rikthim të ndalimit të qarkullimit. “Unë jam kundër kësaj mase” – tha Vuçiq duke shtuar se sidoqoftë ajo do të ndihmonte në përmirësimin e situatës.

Top Channel