Pellgjet e rrezikshme të naftës/ Zharrëz, vapa shton shqetësimet e banorëve

09/07/2020 12:28

Rritja e temperaturave gjatë ditëve të fundit ka rënduar së tepërmi jetën e banorëve të fshatit Zharrëz.

Pellgjet me naftë bruto, të cilat prej vitesh ndodhen shumë pranë shtëpive të banimit, tashmë kanë shkrirë duke çliruar gazra të dëmshëm për shëndetin e njerëzve.

Ato janë një rrezik i madh për jetën e banorëve, e sidomos të fëmijëve. Në një prej këtyre gropave disa muaj më parë humbi jetën një e moshuar.

Ndotja e ambientit në këtë zonë naftëmbajtëse, është shkaktarja kryesore e sëmundjeve në gjak. Pjesa më e madhe e njerëzve që jetojnë këtu, nga të moshuarit deri te femijet, janë të prekur me fenole në gjak, ndërsa janë shtuar edhe rastet e sëmundjeve kanceroze .

Veç dëmeve në shëndetin e banorëve, këto gropa helmojnë tokën dhe prodhimet bujqësore si dhe ujin që përdoret për vaditje. Pranë shtëpive të banimit në Zharrëz ndodhen 13 gropa dhe 2500 metër kanale me mbetje historike hidrokarbure.

Banorët e kësaj zone prej 30 vitesh bashkëjetojnë me 7 puse nafte me ndotje të lartë të mjedisit, 4 gropa ekologjike që depozitojnë mbetjet hidrokarbure, depozitat mijëra tonëshe të naftësjellësit si dhe përroi ku bëhen shkarkimet e mbetjeve të naftës.

Top Channel