Parashikohet dënimi me gjobë 700 mijë lekë/ Manastirliu në Kuvend: Masa të forta për subjektet në zonat turistike që nuk zbatojnë protokollet e sigurisë

09/07/2020 14:31

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu deklaroi gjatë fjalës në Kuvend se, përmes ndryshimeve në aktin normative, do të forcohen penalitetet për subjektet në zonat turistike që nuk zbatojnë protokollet e sigurisë, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID19.
“Çdo shkelje do të ndëshkohet pasi konsiderohet kërcënim i shëndetit të qytetatëve! Për këtë arsye, nëpërmjet këtij akti normativ, do të forcohen penalitetet për subjektet që ushtrojnë veprimtari në zonat turistike”, tha Manastirliu në Kuvend.

Duke e vënë theksin te rëndësia e zbatimit të masave, Manastirliu e vuri kërkoi mirëkuptimin e biznesit dhe qytetarëve.

“Pavarësisht ashpërsimit të masave, një gjë është e sigurt, që këto masa të jenë të vlefshme, varet nga sjellja individuale. Sepse nuk është e mundur që pas çdo subjekti të kemi një inspektor, apo pas çdo personi që është konfirmuar pozitiv, i cili duhet të rrijë i izoluar, të kemi një polic. Kjo duhet të jetë një përpjekje e përbashkët e ndryshimit të sjelljes, për të jetuar në një normalitet të ri”, tha Manastirliu.
Duke theksuar se situata vijon të jetë serioze, Manastirliu është shprehur së qeveria ka marrë masat për përballimin e kësaj epidemie, duke forcuar gjurmimin, testimin dhe kapacitetet spitalore.

“Qeveria po punon çdo ditë dhe strukturat punojnë çdo ditë për ndërprerjen e zinxhirit të infektimit. Kur përpara pak kohësh inaguruam me kryeministrin Rama spitalin e ri dhe shtuam me 100 shtretër kapacitetin për trajtimin e pacientëve me COVID, atëherë thanë pse po bëhet kjo, virusi iku. Dhe akoma mes nesh që thonë se s’ka Covid! Po nuk e besoni, shkoni tek infektivi, ku aktualisht 6 persona janë të intubuar, mes tyre tre janë në moshë të re: 45, 46, 49 vjeç. Kjo nuk është lojë. Kush e konsideron lojë apo konspiracion, na rrezikon të gjithëve, Duhet marrë me shumë seriozitet kjo situatë, është shumë serioze”, tha Manastirliu

Ministrja e Shëndetësisë, nga foltorja e Kuvendit, u bëri apel qytetarëve dhe bizneseve për zbatim të masave, rregullave dhe protokolleve të sigurisë.

“Të mos e vendosim sistemin shëndetësor në stres të pamerituar. Sepse nuk kemi një sistem shëndetësor të investuar në dhjetra e dhjetra vite, por janë vetëm 7 vite të investuara në këtë sistem dhe është ende i brishtë. Ndaj dua ta shfrytëzoja këtë foltore për tju drejtuar me një apel çdo qytetari, atyre që kanë njohur ose jo persona të prekur nga COVID19, të tregojnë kujdes, cdo ditë, për të respektuar disa rregulla të thjeshtë, për ruajten e distancës fizike, për vendosjen e maskës, e cila e ul në mënyrë drastike mundësinë e përhapjes së infeksionit. Dhe për të gjtihë ato subjekte që nuk i respektojnë rregullat, një thirrje: Nëse s’ka shëndet, s’ka ekonomi, ndaj duhet të zbatojmë disa rregulla të thjeshta”, tha Manastriliu

Nëpërmjet ndryshimeve në aktin normativ, do të vendosen penalitetet për subjektet që ushtrojnë veprimtari turistike në stacionet e plazhit, që i thyejne rregullat, duke ndikuar direkt në përhapjen e infeksionit SARS COV2. Parashikohet dënimi me gjobë 700,000 (shtatëqind) mijë lekë dhe në rast përsëritjeje, parashikohet edhe mbyllja e veprimtarisë, duke synuar të mbrohet shëndeti i turistëve në zonat e plazheve, nga infeksioni SARS COV2.

Top Channel