Nuk zbatonin protokollet e sigurisë dhe muzikë tej normave të lejuara/ Procedohen dy administratorë lokalesh

09/07/2020 13:28

Dy administratorë lokalesh janë proceduar nga policia, për veprën penale “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.

Në bazë të ankesave të bëra nga qytetarët për dy subjekte që nuk zbatonin protokollet e sigurisë për parandalimin e përhapjes së COVID-19 dhe vijonin aktivitetin duke prishur rendin dhe qetësinë publike, forcat e policisë kanë organizuar punën dhe gjatë inspektimit në zonën e ish-Bllokut, kanë konstatuar dy subjekte (lokale) që nuk respektonin masat e marra për parandalimin e përhapjes së COVID-19 dhe vendosnin muzikë të lartë, tej normave të lejuara.

Në vijim të veprimeve u bë shoqërimi dhe u proceduan penalisht dy administratorët e lokaleve, shtetasit: D. S., 25 vjeç dhe A. P., 20 vjeç.
Për subjektin në administrim të shtetasit D. S. u vendos masë administrative 1.000.000 lekë.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë sekuestruar pajisjet që përdoreshin për të bërë muzikë në ambientet e këtyre lokaleve.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel