Qeveria e Maqedonisë së Veriut sot vendosi që qytetarët e Kosovës, Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnjë dhe Hercegovinës të paraqesin test PCR negativ nëse duan të hyjnë në vend, në kuadër të masave kundër përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton (AA).

Në një deklaratë nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut thuhet se në seancën e sotme, u miratua ndryshim në vendimin për masat për të parandaluar futjen dhe përhapjen e koronavirusit.

“Në seancën e 75-të të mbajtur sot, u miratua ndryshim në vendimin për masat për parandalimin e futjes dhe përhapjes së koronavirusit, COVID-19, me të cilin qytetarëve të Republikës së Serbisë, Republikës së Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjë dhe Hercegovinës në hyrje përmes një vendkalimi kufitar në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, do t’u kërkohet të paraqesin një certifikatë mjekësore me rezultat negativ të testit RT PCR SARS-CoV-2, të bërë 72 orë para hyrjes në territorin e vendit tonë, dhe të paraqesin një deklaratë të plotë me të dhëna personale në lidhje me vendin dhe periudhën e qëndrimit”, thuhet në deklaratën e qeverisë.

Vendimi hyn në fuqi nga data 9 korrik.

Kujtojmë se bazuar në rekomandimet e Komisionit për Sëmundje Infektive, Qeveria e Maqedonisë së Veriut më 26 qershor vendosi të hapë plotësisht të gjitha vendkalimet kufitare për lëvizje të pandërprerë të udhëtarëve dhe automjeteve pa test PCR dhe pa detyrim për izolim shtëpiak ose karantinë shtetërore.

Maqedonia Veriore kishte mbyllur të gjitha vendkalimet kufitare më 16 mars me qëllim parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Top Channel