Ministri i Drejtësisë Selim Selimi dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Meliza Haradinaj, kanë vizituar sot biznese në Komunën e Preshevës, nga iu kanë ofruar mbështetjen e shtetit të Kosovës.

Të dy ministrat kanë vizituar fabrikat Solid, Fluidi dhe WESlim. Ministri Selimi, tha se Lugina e Preshevës është anashkaluar në tërësi nga shteti serb.

“Si pjesë e resortit të Drejtësisë është kthimi i Prokurorisë edhe i Gjykatës këtu në Preshevë aty ku edhe e ka vendin. Ne gjithashtu e kemi pa të rëndësishme që t’i vizitojmë bizneset e mëdha në Preshevë që janë, Fluidi, Solidi, WESlime, për të treguar që në Preshevë mund të punohet përtej sfidave që i keni sistematike nga Republika e Serbisë ka aq potencial, aq talent edhe aq vullnet për punë, saqë i kemi tri kompani që mbulojnë jo vetëm Serbinë, por tërë rajonin”, tha ai.

Ministri Selimi tha se Qeveria e Kosovës do të jetë krahë i këtyre të rejave e të rinjve dhe bizneseve për funksionimin e tyre.

Ndërsa, ministrja Haradinaj-Stublla, tha se ndërmarrësit e kanë mbajtur gjallë komunitetin shqiptar në Luginë.

“Jemi te kompania WESlime dhe kemi vizituar edhe kompani të tjera, të cilat janë prodhues nga kjo zonë dhe e kanë mbajtur gjallë edhe shpirtin ndërmarrës të komunitetit të shqiptarëve këtu, por edhe mbijetesën ekonomike të shqiptarëve në këtë zonë”, tha ajo.

Në vizitën në Luginë po merr pjesë edhe drejtori i Odës Ekonomike Amerikane Arian Zeka, i cili i ka inkurajuar bizneset që të bashkëpunojnë me ato të Kosovës.

“Në një fabrikë të suksesshme, secila fabrikë natyrisht nënkupton vende të punës, nënkupton perspektivë për jetë më të mirë, nënkupton të ardhme dhe siç po e shohim prej te ardhmes së kësaj kompanie e ardhmja është e bardhë, e përgëzoj Valonin për punën që bën dhe e inkurajoj që të rrisë bashkëpunimin me kompanitë kosovare dhe ky është në fund të fundit një prej objektivave të Odës Ekonomike Amerikane për fuqizimin e bashkëpunimit ekonomik brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor”, tha ai.

Ndryshe, ministrat Haradinaj – Stublla dhe Selimi, si dhe anëtarë të tjerë të delegacionit nga Kosova, sot po qëndrojnë për herë të parë për vizitë zyrtare në Luginën e Preshevës. /KosovaPress/

Top Channel