“Skenar mafioz”/ Ish-kryebashkiaku i Vorës “shpëtoi paq”, Bardhi: Ky pushtet i kalbur duhet shkulur me rrënjë

08/07/2020 16:33

Pasi Gjykata e Apelit caktoi masën “detyrim paraqitjeje” për Agim Kajmakun, ka reaguar sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi.

“Një skenar mafioz u zbatua 24 orët e fundit nga qeveria dhe drejtësia për të lënë të lirë Agim Kajmakun e Vorës.

Policia bëri dje sikur e arrestoi papritur, pas një gjoja arratisje 7 mujore, ndërsa drejtësia, nën diktatin e qeverisë, e liroi sot nga burgu. Gjithçka ishte llogaritur që lulishtari i oborrit 1 milionë euro të Edi Ramës në Surrel të mos vuante asnjë ditë burg.

Agim Kajmaku, një falsifikator, që fshehu krimin në formularin e dekriminalizimit, u mbrojt nga Edi Rama. Kryeministri nuk e shkarkoi nga detyra, megjithëse ne provuam me dokumente se kryebashkiaku ilegjitim i Vorës kishte mashtruar dhe ishte në shkelje flagrante të ligjit”, u shpreh Bardhi.

Më tej shtoi:

“Gjatë kohës së “arratisë”, Agim Kajmaku u pagua 200 milionë lekë nga pushteti e Edi Ramës, duke vendosur rekord sesi një person që kërkohet nga policia, përfiton njëkohësisht miliona lekë nga tendera publikë. Ky është një pushtet i kalbur që duhet shkulur me rrënjë, sa më parë!”

Ish-kryebashkiaku i Vorës, që ishte shpallur në kërkim, Agim Kajmaku, u vu në pranga nga policia mbrëmjen e së hënës.

Ai është paraqitur në ambientet e një spitali privat, për shkak të problemeve kardiake dhe diabetit, por mjekët kanë njoftuar policinë për shkak të urdhrit të arrestit të lëshuar ndaj tij. Gjykata e Tiranës, në nëntor të vitit të kaluar kishte caktuar në mungesë, masën e arrestit me burg për Kajmakun, për veprat penale të Falsifikimit të vulave, stampave ose i formularëve, falsifikimi i dokumenteve zyrtare dhe kryerja e funksionit pas dhënies fund të tij.

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve vitin që shkoi, i ndërpreu mandatin Kajmakut, por edhe pa mandat ai shkarkoi dy nënkryetarët e bashkisë, në të njëjtën ditë, në vend të tyre ai emëroi nënkryetar Gentian Picari.

Agim Kajmaku u shkarkua nga KQZ pasi u denoncua nga PD për fshehje të të shkruarës kriminale në Greqi atje ku rezulton se është arrestuar, hetuar e më pas dënuar në mungesë për përdorimin e monedhave të falsifikuara, pavarësisht se më pas u shpall i pafajshëm nga gjykata e Apelit të Janinës. Kajmaku erdhi në krye të Bashkisë Vorës nga zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019, dhe dënimin në Greqi nën emrin Jorgo Tota, që mbante atëhere, nuk e deklaroi në formularin e dekriminalizimit.

Për këtë arsye prokuroria kishte lëshuar urdhër për arrestuar atë, por ai qëndroi në arrati për disa muaj duke iu shmangur drejtësisë.

Top Channel