Ishte betuar se bashkinë, të cilën e drejtoi për 12 vite nuk do e lëshonte, por rotacioni më 30 qershor ndodhi edhe në Kamzën bastion të së djathtës.

1 vit më pas, Xhelal Mziu shpreh ambicien për ta rimarrë drejtimin e Bashkisë me votë dhe për këtë  thotë se ka marrë bekimin e Lulzim Bashës.

“Nëse do të ishte për ta mbajtur me force jam i  sigurt që nuk do e kisha dorëzuar atë bashki, nuk do ta kisha lënë. Së pari nuk mundet që të kthehesh në kohën e principatave për ta mbrojtur kalanë me forcë, edhe mund ta bënim atë punë. Së dyti, kuptohet edhe me komunikimin me  lideri Basha ishte për të mos qenë problematik, sepse fajtori atje ishte Partia Socialiste dhe nëse ne do luanim rolin e zhurmuesit faji do kalonte mbi ne”, shprehet Xhelal Mziu.

Prej një viti, bashkinë e Kamzës e drejton Rakip Suli, për të cilin nuk i kursen akuzat.

“Ka një vit që nuk po bëhet asnjë investim madje edhe ato investime, të cilat kishin nisur me fonde të Bashkisë apo donatorë te huaj janë stopuar, çfarë do të thotë se nuk po bëhet asnjë punë. Mua më dhimbset qyteti i Kamzës dhe unë dua të shfrytëzoj çdo lloj potenciali tim, jo vetëm për ta fituar këtë mandat, por për t’i treguar edhe një herë se nuk e meriton as kandidati 6 % qe është në atë bashki dhe jam i bindur që do te kemi një fitore të thellë”, thotë Mziu.

Në kuadër të udhëzimit të Lulzim Bashës, Xhelal Mziu është drejtuesi i 3-të lokal, i cili jep dorëheqjen nga funksioni partiak për t’u bërë kryebashkiak pasi kolegët e tij në Fier dhe Korçë hoqën dorë nga drejtimi i degëve për t’u bërë deputet.

 

Top Channel