Trafik me vepra arti/ 3 të arrestuar për vjedhjen me vlerë 50 mijë euro

07/07/2020 15:38

Dy objekte antike të trashëgimisë kulturore u sekuestruan, ndërsa u arrestuan tre persona gjatë operacionit policor “Antikat” në Durrës. Reliktet janë një amforë që, sipas arkeologëve duket se daton rreth shek.V-VI para erës sonë, si dhe një stelë varri antike e realizuar në gur gëlqeror, pjesë e një sarkofagu.

Nga hetimet rezulton se objektet synonin të tregtoheshin te koleksionistë privatë në Durrës, ose përtej Adriatikut, dhe bleresit nuk jane gjetur. Policia ngriti akuzën e trafikimit të veprave të artit, në bashkëpunim ndaj 3 të arrestuarve.

Pas disa javë hetimi, objektet u gjetën gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e drejtuar nga 49-vjeçari Altin Veizaj nga Fieri, i cili ra në prangat e policisë, së bashku me shtetasit Roland Zaimaj 48 dhe Alban Vrapi, 37 vjeç, të dy me banim në Tiranë.

Sipas policisë, fieraku siguronte veprat e artit, ndërsa dy shtetasit e tjerë gjenin klientelën për shitjen e tyre. Të dyshuarit u kapën në zonën e Currilave në kërkim të blerësve për tregtimin e objekteve, që, sipas policisë, kapin në treg vlerën e 18 deri në 25 mijë euro secila. .

Të kontaktuar nga grupi hetimor, specialistë të arkeologjisë në Tiranë kanë vlerësuar se veprat janë antike, por pa përcaktuar ende se cilit fond arkeologjik i përkasin. Pas interesimit të TCH pranë Muzeut Arkeologjik të Durrësit dhe Parkut Arkeologjik të Apolonisë, objekte të të cilëve janë vjedhur ndër vite, specialistët u shprehën se objektet e sekuestruara nuk u përkasin atyre.

Paraprakisht, në Parkun e Apolonisë shprehen se stela e varrit, basorelievi është zbuluar në Karaburun, ndërsa amfora antike që përdorej nga njerëzit e lashtë për mbajtjen e verës apo vajit dhe qe besohet se perket fundit te shek V – fillimit te shek IV para krishtit, mund të jetë dhe e importuar. Nëse vërtetohet akuza e trafikimit, që parashikon eksportimin, importimin, tranzitimin dhe tregtimin e paligjshëm të veprave të artit, të arrestuarit rrezikojnë burgim nga 5-15 vjet.

Top Channel