“Nuk u vendos gjë”/ Përfundon takimi me Ramën, Hajdari: S’tërhiqemi nga Listat e Hapura edhe nëse na bëjnë presion të huajt

07/07/2020 20:36

“Opozita e re do të kushtëzojë në parlament marrëveshjen e arritur nga Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore”, u shpreh deputetja e opozitës së re, Rudina Hajdari, pas takimit 80 minutësh me Edi Ramën, duke shtuar se opozita parlamentare nuk do të tërhiqet nga kërkesat e saj, pavarësisht presioneve që mund t’i vijnë nga jashtë, qoftë nga ndërkombëtarët apo edhe nga opozita jashtëparlamentare.

“Nuk tërhiqemi nga kjo kërkesë dhe ia bëjmë të qartë Ramës se opozita parlamentare e ka marrë përsipër këtë betejë dhe nuk ka tërheqje nëse kemi presion nga opozita parlamentare apo nga ndërkombëtarët, se janë të dobishme për të pasur një garë të drejtpërdrejtë. Kjo kërkesë vjen në një kohë të vështirë, por që është e nevojshme që të mos mbetemi në vend numëro, por të kemi zgjedhje me standarde dhe duhet ta bëjmë realitet se listat e hapura mbështet 75% e qytetarëve shqiptar dhe duhet të realizojmë. Nëse Rama zgjedh të shkojë me opozitën jashtëparlamentare po u kthen kurrizin shqiptarëve. Nëse jo, u ka bërë nder shqiptarëve. Ne i shtruam kërkesat tona dhe ka një presion të jashtëzakonshëm se marrëveshja që është bërë në atë tryezë i shërben integrimit të Shqipërisë dhe faktit që riktheu në sistem PD-në dhe LSI-në, por nuk është e plotë dhe nuk mbështetet nga publiku i gjerë. Në kemi kontrollin e parlamentin, se Rama nuk i ka votat. Padyshim që do ta kushtëzojmë, jemi 29 deputetë që do ta kushtëzojë votën e tyre pa patur lista të hapura, nuk ka shans që ne të votojmë. Nuk u vendos gjë, por ne do të vazhdojmë që të këmbëngulim në kërkesat tona, do i imponohemi mazhorancës se nuk i kanë votat për ta votuar në parlament”, deklaroi Hajdari.

“Ne jemi unisong dhe nuk lëshojmë pe. Ka presione nga të gjitha anët, ka deputet që mund të ndryshojnë mendje të tyre, por ne do ta shikojmë me vonë, por unë si deputet ne atë kuvend bashkë me kolegët e mi kemi qenë të artë në kërkesat tona. këta individë që janë baltosur, që i kanë quajtur tradhtar, të votojnë në presionin e dikujt tjetër mendoj se është i vështirë. Ne të provojmë a do votohet Rudina Hajdari në zgjedhjet e ardhshme, ne zgjedhim që të reformojmë sistemin zgjedhor, që shqiptari të votojë atë që ka dëshirë. U japim shans atyre, jo vetes sonë”, tha Hajdari.

Top Channel