Arrestohet ish-kreu i bashkisë Vorë/ Kërkohej për falsifikim. Shkoi në një spital privat i sëmurë

07/07/2020 15:25

Ish kryebashkiaku i Vorës, i shpallur në kërkim, Agim Kajmaku, është vënë në pranga nga policia mbrëmjen e së hënës. Ai është paraqitur në ambjentet e një spitali privat, për shkak të problemeve kardiake dhe diabetit, por mjekët kanë njoftuar policinë për shkak të urdhrit të arrestit të lëshuar ndaj tij.

Gjykata e Tiranës, në nëntor të vitit të kaluar kishte caktuar në mungesë, masën e arrestit me burg për Kajmakun, për veprat penale të Falsifikimit të vulave, stampave ose i formularëve, falsifikimi i dokumentave zyratre dhe kryerja e funksionit pas dhënies fund të tij.

Komisioni qëndror i zgjedhjeve vitin që shkoi, i ndërpreu mandatin Kajmakut, por edhe pa mandat ai shkarkoi dy nënkryetarët e bashkisë, në të njëjtën ditë, në vend të tyre ai emëroi nënkryetar Gentian Picari.

Agim Kajmaku u shkarkua nga KQZ pasi u denoncua nga PD për fshehje të të shkruarës kriminale në Greqi atje ku rezulton se është arrestuar, hetuar e më pas dënuar në mungesë për përdorimin e monedhave të falsifikuara, pavarësisht se më pas u shpall i pafajshëm nga gjykata e Apelit të Janinës. Kajmaku erdhi në krye të Bashkisë Vorës nga zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019, dhe dënimin në Greqi nën emrin Jorgo Tota, që mbante atëhere, nuk e deklaroi në formularin e dekriminalizimit.

Për këtë arsye prokuroria kishte lëshuar urdhër për arrestuar atë, por ai qëndroi në arrati për disaj muaj duke iu shmangur drejtësisë.

Pak ditë më parë në 26 qershor, në një seancë me dyer të mbyllura, gjykata rrëzoi kërkesën e avokatëve të Agim Kajmakut që kërkuan ndryshim mase nga arrest me burg në mungesë në një më të lehtë, por gjyqtarja Shefkie Demiraj u shpreh se masa e arrestit nuk do të ndryshojë.

Ndërkaq, Kajmaku vijon të trajtohet në spitalin privat me ndihmë të specializuar.

Top Channel