U shtrua me urgjencë në një spital privat, arrestohet ish-kreu i bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku

07/07/2020 09:01

Arrestohet ish-kreu i bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku.

Agim Kajmaku ishte në kërkim për shpërdorim detyre, që prej 11 nëntorit të vitit 2019. Ai akuzohet për falsifikim, si dhe për ushtrim funksioni përtej mandatit. Burime për Top Channel bëjnë me dije se Kajmaku pas arrestimit momentalisht ndodhet në një spital privat nën forca të rrepta sigurie.

Bëhet e ditur se fillimisht Kajmaku është paraqitur në një spital privat pasi ka pasur probleme kardiake dhe me diabetin. Sapo ka shkruar në spital, këto të fundit kanë njoftuar menjëherë policinë për shkak të urdhër arrestit të lëshuar ndaj Kajmakut. Më pas gjatë mbrëmjes së djeshme policia ka bërë të mundur edhe arrestimin e tij.

Ndaj Kajmakut, Prokuroria lëshoi një urdhër-arrest në nëntor të vitit që lamë pas. Që prej asaj kohe Kajmaku ishte në arrati dhe i fshihej policisë.

Kujtojmë se Kajmaku fillimisht u denoncua nga Partia Demokratike duke thënë se ai ka gënjyer në formularin e dekriminalizimit pasi vite më parë ka qenë i dënuar në Greqi për falsifikim parash.

Më tej Kajmaku edhe pse KQZ e shkarkoi nga detyra, ai vijoi të ushtronte kompetencat e kryebashkiakut  duke firmosur shkarkimin e dy nënkryetarëve të Bashkisë Vorë.

Lajmi në përditësim…

Top Channel