Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Armend Zemaj deklaroi se nga sot do të nisë zbatimi i masave të reja të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, për të luftuar përhapjen e koronavirusit. Ai e bëri të qartë se kush nuk I respekton ato, do të përballet me sanksione ligjore.

“Në mbikëqyrje të zbatimit të masave do të jenë punonjësit e Inspektoratit Sanitar, Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Inspektoratet Komunale, dhe mekanizmat e sigurisë. Komunat do të riaktivizojnë plotësisht shtabet emergjente”, deklaroi  Zemaj.

Për sanksionimin e qytetarëve që nuk respektojnë masat, Qeveria e Kosovës përmend ligjin për luftën kundër sëmundjeve ngjitëse. Në bazë të këtij ligji, nga 1.000 deri në 8.000 euro mund të ndëshkohen personat fizikë dhe juridikë të cilët nuk e zbatojnë masën e përgjithshme ose të posaçme për mbrojtje nga sëmundjet ngjitëse kur kjo është e domosdoshme. Megjithatë, Avokati i Popullit të Kosovës, Hilmi Jashari, tha se nuk ka bazë ligjore për ndëshkimin e personave të cilët nuk zbatojnë masat parandaluese dhe rregullat kundër COVID-19.

Edhe Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, ka deklaruar më herët për REL se vepër penale përbaëjnë vetëm ata që e dinë se janë të infektuar por nuk marrin masa për mospërhapjen e sëmundjes.Qeveria e Kosovës vendosi një ditë më parë masa shtesë anti-Covid, e në disa  qytete ku ka rritje të rasteve të reja si Prishtina, Prizreni, Ferizaj dhe Vushtrria, do të aplikohet ndalimi i lëvizjes nga ora 21:00 deri në orën 05:00.

Top Channel