Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë pritet të rinisë më 12 korrik në Bruksel. Këtë të diele kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti serb Aleksandërr Vuçiç do të priten nga përfaqësuesi i lartë i BE-së, Joseph Borrel dhe emisari special i BE-së për dialogun, Mirolav Lajçak.

Takimi është konfirmuar edhe nga zëdhënësi i BE për çështjet e jashtme, Peter Stano.

“Mund të konfirmoj se këtë të diel, më 12 korrik, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç do të vijnë në Bruksel për takimin e nivelit të lartë të dialogut, të ndërmjetësuar nga BE. Ky do të jetë takimi i parë në kuadrin e dialogut që nga nëntori i vitit 2018″ deklaroi Stano.

Takimit do t’i prijë një samit virtual që do të zhvillohet të premten nga presidenti francez Macron dhe kancelarja gjermane, Merkel.

Sipas Stanos, në këtë takim do të vijojë puna për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Ky takim do të vazhdojë diskutimet dhe punën për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe me kushte të dyanshme, për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, për të trajtuar të gjitha çështjet e pazgjidhura,” tha nga Brukseli zëdhënësi i BE, Peter Stano.

Top Channel