Një grup prej jo më pak se 300 vet, mund të përcaktohen dhe të njihen si pakicë kombëtare në vendin tonë.

Këtë parashikon projektvendimi i hartuar nga Ministria e brendshme, e cila të mërkurën i kërkoi mendim shoqërisë civile, mes tyre, historianëve, profesorëve dhe juristëve.
Por debateve, pjesa më e madhe kërkuan ndryshimin e ligjit. Për profesor Përparim Kabon, në të, janë ngatërruar pakicat kombëtare me pakicat etnokulturore.

“Në qoftë se ata 300 nuk e kanë të dokumentuar kombësinë jo shqiptare, si u lindka e drejta të shpallen minoritet?! E di çdo të thotë të jesh pakicë? Do të thotë që në një territor të caktuar të vendit, në raport me autoktonët duhet të jesh shumicë demografike, pra nqs marrim zonën e minoritetit në Gjirokastër, në aspektin demografik, ata që janë minoritarë duhet të jenë më shumë se ata që janë autoktonë. dhe nuk është çështja e 300 vetave. Janë ngatërruar pakicat kombëtare me pakicat etnokulturore”.

Gazetari Marin Mema e quan projektin e ministrisë së brendshme, si AntiKombëtar.

“Marrja e 300 firmave, të 300 njerëzve që kërkojnë të shpallen minoritet kombëtar, është AntiKombëtare. E çon këtë vend drejt një vendi multietnik. Kjo jep hapësira të pafundme për abuzime. Do të shtonim toponime, do të shtonim emra rrugësh, do të ngrinim buste. Sikur të mos mjaftonte fakti, që ne në shumë zona të jugut të vendit, në mënyrë jo normale, kemi emra rrugësh me njerëz antikombëtar, kemi buste me njerëz që kanë punuar kundër Shqipërisë”.

Ndërsa historiania Eleni Kocaqi, thotë se ligji, bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare të minoriteteve.

“Ti mund të thuash që unë kam minoritet, por kur ai grupim që ti e quan minoritet, nuk është në një territor të caktuar, kompakt, dhe nuk flet një gjuhë, por ti e di që ai ka emigruar psh nga Lindja e mesme, Egjipti, etj; atëherë si mund ta quash minoritet? ti atëherë nuk ke zbatuar ligjin ndërkombëtar.”

/Andi Bora/

Top Channel