Dihet mirë se në totalitarizëm botimi i një libri ishte para së gjithash status në shoqëri, ishte garanci politike dhe ideologjike, jo vetëm autorësi e autoritet. Njëherësh, kontrolli mbi librin ishte dhe kontroll mbi mendimin.

Dhe kjo çoi në një kufizim të njohur të veprimtarisë botuese. Kjo është një letërsi që u ofruar një herë si propagandë dhe njëherë si talent i autorit. Në arkivat e trashëgimisë kulturore, të Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve, të teatrove, të shtëpive botuese, të cilat nuk dihet ku janë dhe nëse janë diku ende të ruajtura, gjenden tekste letrare të cilat kanë një frymë dhe shkruar me një skematizëm ideologjik që të mërzisin që në faqen e parë.

Të gjithë lëvdojnë sasinë e botimeve në çerekshekullin e fundmë, por njëherësh të gjithë lëvdojnë leximin e dikurshëm. Dhe atëherë vjen një pyetje: botohet, por për kë? Kush lexon në Shqipëri, kur lexon, çfarë lexon? Shkollat, çfarë “menu-je” librore u ofrojnë nxënësve? Nëse nuk lexohet, çfarë ka ndodhur me leximin?

Por nuk janë vetëm nxënësit ata që e vuajnë diskriminimin e leximit prej formave të tjera të komunikimit me letërsinë dhe dijet. A nuk po zëvendësohen me një shpejtësi të frikshme bibliografitë shkencore me sitografitë, referencat në rrjetet e enciklopedive vullnetare dhe në burime të tjera që nuk përbëjnë referencë? Dhe kjo nuk po ndodh me ata që janë në proces marrjeje të dijes, studentët, por pikërisht me ata që hartojnë tekstet dhe ofrojnë dijet. Sot në këtë rubrikë të faqes sonë në top-channel.tv Vitrina e Librit, në bashkëbiseduam me përkthyesen e frengjishtes dhe profesoreshën Saverina Pasho, e cila megjithëse i pranon ato për të cilat na shqetësojnë në jetën tonë kulturore, mungesat dhe ‘vrasjen’ që po i bëhet sot librit, as nuk e përfytyron dot se c’do të ishte sot një jetë dhe një botë pa libra.

Kush është Saverina Pasho?

Saverina Pasho kreu studimet e larta dhe ato doktorale për gjuhë dhe letërsi franceze, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, të Universitetit të Tiranës. Qysh nga viti 1987, është profesore e  Letërsisë moderne Franceze dhe Historisë së Francës në Universitetin e Tiranës. Ajo është autore e shumë artikujve në fushën e letërsisë, didaktikës dhe përkthimit, githashtu autore e monografisë në gjuhën frënge Kadare entre mythe et roman (2013) si dhe përkthyese e shumë veprave letrare por edhe filozofike e historike.

Monika Stafa: Cilët janë librat që ndikuan në personalitetin tënd ?

Saverina Pasho: Nuk do dija t’i përgjigjesha me disa citime titujsh apo autorësh kësaj pyetjeje, sepse ndikimi i shkrimtarëve ndryshon shumë me moshë. Mbaj mend se kur isha e vogël më kishin magjepsur veçanërisht dy libra: Heronjtë e Helladës dhe Tregime nga Shekspiri. Ky i pari besoj se më ka ndikuar aq shumë saqë më pas një pjesë të kohës sime do t’ia dedikoja studimit të miteve dhe veçanërisht te vepra e Kadaresë.

Në vitet e rinisë isha rrëmbyer e tëra nga Cvajku, Remarku, Heminguej, Drajzeri. Por më vonë,  zbulimi i një letërsisë të madhe si ajo franceze, pati një ndikim rrënjësor. Hugo, Stendal, Flober, Celin, Gide,Yourcenar, Camus, lista do te ishte shumë e gjatë edhe për shkak të formimit  dhe profesionit  tim, megjithatë do të veçoja si farkëtues të personalitetit tim, Hugonë dhe Camus, ndoshta humanizmi i tyre përtej çdo kohe dhe kufiri më kanë lënë një mbresë të fortë. Autorë po aq kanonikë dhe ndikues për mua do të ishin Tolstoi, Dostojevski, Kafka, më vonë Borghesi, Cortazari dhe Markezi.

Monika Stafa: Cili është libri që aktualisht po lexon ?

Saverina Pasho: Në dorë kam Njeriu i parë, një autobiografi postume e A. Camus, të cilin po e rilexoj me shumë vëmendje se ndërkohë po e përkthej. Por meqë zakonisht bëj lexime paralele jam duke lexuar edhe Sonatë për shumë tamburë të Olga Tokarczuk.

Monika Stafa: Po libri që të ndryshoi jetën ?

Saverina Pasho: Nuk besoj se librat mund të të ndryshojnë jetën (aq më pak një libër), librat mund të të bëjnë të shohësh apo imagjinosh shumë jetë të mundshme. Do të shtoja  se librat nuk e ndryshojnë jetën dhe as e bëjnë botën, por nuk e di sesi do të ishte një jetë dhe një botë pa libra. Gjithsesi mund të them se kur lexova  romanin e Ayn Rand Ne të gjallët (të cilin më vonë do ta përktheja), një libër që më bënte t’i gjeja pothuajse të gjithë personazhet brenda shtëpisë me shumë  banorë, në katin përdhes të së cilës jetoja, realizova për herë të parë se fati im apo i yni, nën diktaturë nuk ishte unik, dhe po aq  universale dhe e pandalshme ishte përpjekja njerëzore për liri. Mendoj se ky libër më kishte ndyshuar po aq sa, shumë më herët leximi i Spartakut, një libër që sot nuk ia mbaj mend autorin.

Monika Stafa: Libri qëështë mbivlerësuar më shumë pa të drejtë? Si e keni përjetuar atë?

Saverina Pasho: Në historinë e letërsisë dihet  tashmë që edhe libra të autorëve nobelistë  të vlerësuar ndoshta jo drejtë dhe për arsye ekstraletrare kanë rënë në harresë. Koha është një kritik i pamëshirshëm dhe ndoshta edhe më i miri. Nuk di të shprehem në veçanti, por është një fenomen i rëndomtë jo vetëm te ne, sigurisht. Ndjek prej shumë kohësh fituesit e çmimit Goncourt në Francë, dhe jo rrallë zbulimi i tyre për mua ka qenë zhgënjyes. Besoj se ky është rezultat i komercializimit, bjerjes së  vlerave, krizës së përgjithshme të kulturës dhe civilizimit që kalon bota dhe në rastin e Shqipërisë, ajo e një letërsie të brishtë e dalë nga një traditë shterpë si socio-realizmi.

Monika Stafa: Libri i fundit që ju ka bërë për të qeshur?

Saverina Pasho: Qysh nga Ushtari i mirë Shvejk, nuk mbaj mend të kem qeshur fort me librat. Ndoshta jam bërë shumë serioze në zgjedhjet e mia, ose njerëzit, lexuesit kanë harruar paksa të qeshin dhe shkrimtarët kanë harruar të bëjnë për të qeshur në mënyrë rabëleziane.

Monika Stafa: Libri që nuk ke arritur ta përfundosh?

Saverina Pasho: Ka shumë të tillë. Dikur kur isha e re kisha një farë droje a turpi të mos e përfundoja një libër. Me kohë dhe ndoshta për mungesë kohe, kam mësuar të mos i përfundoj librat që nuk më tërheqin madje edhe kur autorët janë të shquar (më ka ndodhur me një shkrimtar elitar si J. Gracq apo me romanin Une jam e kuqja të O. Pamuk). Më ka ndodhur të mos përfundoj edhe autorë që i  kam të preferuar si Dostojeveski, por për shkak të përkthimit jo të mirë e megjithatë ia kam dalë meqë kisha gjithmonë mundësinë t’i lexoja në version francez.

Monika Stafa: Libri qëju vjen shumë turp që nuk e keni lexuar ende?

Saverina Pasho: E kam çliruar veten nga ky lloj turpi. Në mos po do të ishin shumë dhe unë do të isha mbytur në turpin tim. Më ka ndihmuar shumë thënia e njohur sokratike, unë kam lexuar shumë pak sikundër edhe di shumë  pak gjëra. Jeta është shumë e shkurtër për të lexuar gjithçka.

Monika Stafa: Libri mëi hershëm që keni lexuar?

Saverina Pasho: Ndoshta nuk jam shumë e saktë, por më duket se ka qenë Muku i vogël, një libër shumë i bukur dhe me ilustrime mbresëlënëse që ende më ka mbetur në kujtesë, për kurajon me të cilën Muku i vogël mundi ta mposhte handikapin e tij. Një përrallë  inkurajuese e gjithë humor që të çonte shumë larg me imagjinatë, ku çdo gjë bëhej e mundur dhe të ndihmonte ta shihje jetën me ngjyra dhe shumë dritë. Kam konstatuar me gëzim se ky libër është ribotuar në vitet 2000.

Monika Stafa: Librin që jepni më shumë për dhuratë?

Saverina Pasho: Dhuroj shpesh libra; me mungesë modestie, po pohoj se përgjithësisht dhuroj librat që përkthej vetë ose librat që i pëlqej shumë vetë. Kjo më ndodh ndoshta se shpesh me miqtë të bashkojnë edhe shije të njëjta letrare ashtu sikundër prirje të njëjta artistike e sociale. Kohët e fundit kam dhuruar shumë Lehtësia e padurueshme e qenies, të Kunderës dhe Me jetën përpara të Gary-së sepse janë dy libra që i vlerësoj shumë.

Top Channel