Një virus i ri që ka potencialin të bëhet pandemik është identifikuar në Kinë nga shkencëtarët.
Ai është shfaqur së fundmi dhe mbahet nga derrat, por mund të infektojë edhe njerëzit, thanë shkencëtarët kinezë. Kërkuesit janë të shqetësuar se ai mund të pësojë më shumë mutacione dhe të shpërndahet lehtësisht nga njeriu tek njeriu e të shkaktojë kështu një pandemi globale. Pavarësisht se nuk është një problem imediat, thonë ata, ai ka të gjitha shanset të bëhet lehtësisht i përshtatshëm dhe të infektojë njerëzit dhe ka nevojë për monitorim të afërt. Duke qenë se është i ri, njerëzit mund të kenë pak ose aspak imunitet ndaj virusit.
Shkencëtarët shkruan në gazetën e Akademisë Kombëtare të Shkencave se masat për të kontrolluar virusin te derrat dhe monitorimi i ngushtë i sektorit të bagëtive, duhet të implementohen shpejt. Një virus i ri gripi, është mes kërcënimeve kryesore që ekspertët presin edhe ndërsa bota përpiqet t’i japë fund pandemisë aktuale të koronavirusit. Gripi i fundit i derrave, pandemik, me të cilin bota është përballur, ai i 2009-s që nisi në Meksikë, ishte më pak vdekjeprurës nga sa u druajt fillimisht, kryesisht sepse shumë të moshuar kishin një lloj imuniteti ndaj tij, ndoshta për shkak të ngjashmërisë me viruset e tjera të gripit që kanë qarkulluar më herët.
Virusi A/H1N1 pdm09 tani është i mbuluar nga vaksinat e përvitshme të gripit që garantojnë mbrojtje për njerëzit. Virusi i ri i derrave i identifikuar në kinë është i ngjashëm me atë të 2009-s, por me disa ndryshime të reja. Deri më tani ai nuk paraqet një kërcënim të madh, por ekspertët kinezë që e kanë studiuar tërheqin vëmendjen se ai duhet mbajtur nën vëzhgim. Virusi që ekspertët e quajnë G4 EA H1N1 tani mund të rritet dhe shumëfishohet në qelizat që rrethojnë rrugët e frymëmarrjes tek njerëzit. Ata gjetën prova të infektimit të fundit, në fillimet e tyre tek njerëzit që punonin në stallat dhe industrinë e derrit në kinë. Vaksinat aktuale të gripit nuk duket se ofrojnë mbrojtje ndaj tij edhe pse mund të adaptohen për ta bërë këtë, nëse do të jetë e nevojshme.
Top Channel