Paralajmërimi i fortë i kreut të PDSH-së: Nëse ndal procesi integrimit në Maqedoninë e Veriut rikthehet konflikti

30/06/2020 17:58

Në studion e emisionit “Top Talk”, drejtuar nga gazetari Denis Dyrnjaja, ishte i ftuar kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, në Maqedoninë e Veriut, Menduh Thaçi.

Në Maqedoninë e Veriut do të zhvilloheshin zgjedhje politike më datë 12 prill, por u shtynë me konsensus politik për t’u zhvilluar në mesin e muajit korrik, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Teksa jemi pak ditë larg zgjedhjeve në Maqedoninë e Veirut, kreu i PDSH-së Menduh Thaçi, tha se prioriteti i partisë që ai drejton është që të zgjerojë elektoratin e saj dhe të sigurojë një vend në parlamentin maqedonas. Ndër të tjera ai tha se një hap i rëndësishëm për vendin është dhe integrimi në Bashkimin Evropian dhe dha paralajmërimin e fortë se nëse procesi dështon, vendi do të përfshihet nga konflikte të ashpra.

“Ndoshta kjo që do të them do të jetë shumë e fortë, por dua të jem i drejtpërdrejt, Maqedonia ka vetëm një imunitet gjeneral për mbijetesë, procesin integrues nëse ky proces integrues dëmtohet, Maqedonia është në shpartallim e sipër. Dhe procesi integrues për Maqedoninë nuk është si për Shqipërinë, si për Kroacinë, si për Bullgarinë. Mungesa e procesit integrues në Maqedoni mund të rikthejë situatën e konfliktualitetit etnik që kemi pasur në vitin 2000”, u shpreh Thaçi.

Top Channel