I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, e ka mirëpritur letrën, përmes së cilës disa deputetë të Parlamentit Europian kanë kërkuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, të vendosë në agjendë të Këshillit Europian çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.
“Më në fund. Ky është një lajm i mirëpritur edhe nëse ka si qëllim vetëm disa biznese. Përqendrimi i SHBA-së në normalizimin ekonomik ka motivuar evropianët të ndërmarrin veprime. Ne jemi të lumtur t’i shohim ata duke marrë udhëheqjen”, ka shkruar Grenell në rrjetin social Twitter.
Gjermania pritet të marrë udhëheqjen e Këshillit Europian që nga 1 korriku.Deputetët kanë thënë në letrën dërguar Merkelit se Kosova i ka përmbushur kriteret e kërkuara dhe tani i takon BE-së që të përmbushe pjesën e saj të detyrimit.Kjo nuk është hera e parë që Grenell flet për nevojën e liberalizimit të vizave për Kosovën nga ana e Bashkimit Europian.
Në 20 qershor ai gjatë një shkëmbimi të mesazheve në Twitter me raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon pati kërkuar që ajo të mos e kritikojë administratën amerikane për çdo gjë, por të përqendrohet në liberalizimin e vizave. Autoritetet në Kosovë thonë se kanë plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe presin që edhe BE-ja tani të mbajë fjalën dhe të liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës.
Top Channel