Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Siç vihet re edhe nga fotoja e mësipërme, në Kuvend, të vetmit pa maskë janë Rama dhe këshilltari i tij. Pas Osmanit, Rama do të shkojë në takim me homologun e tij, kryeministrin Avdullah Hoti.

Pak orë më parë, përmes një postimi në Twitter, Rama sqaroi arsyen e vizitës së tij dyditore:
“???? NË PRISHTINË PËR TË DËGJUAR DHE MËSUAR MË SHUMË PAS FLETË-RRUFESË SPECIALE QË DO TË HYJË SI NJOLLË TURPI E SHEKULLIT XXI NË HISTORINË BOTËRORE TË DREJTËSISË,E CILA PRAKTIKËN E AKUZËS PUBLIKE PA AKTAKUZË JURIDIKE E KA NJOHUR VEÇ NË EPOKAT E SUNDIMEVE IDEOLOGJIKE A PARA TYRE!”

Limaj: Rama i gatshëm të ofroi ndihmën e shtetit shqiptar në çdo proces nëpër të cilat mund të kaloj Kosova

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj është deklaruar pas takimit që ka zhvilluar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Limaj ka thënë se me kryeministrin Rama kanë biseduar për zhvillimet e fundit politike në Kosovë. “Sot patëm kënaqësinë të mirëpresim në selinë e Nismës Socialdemokrate, kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, me bashkëpunëtorë, me të cilin diskutuam për zhvillimet aktuale, me theks të veçantë për mundësinë e koordinimit të veprimeve që duhet ndërmarrim si spektër politik në Kosovë pas situatës së krijuar në vendin tonë”, ka shkruar ai në Facebook.

Më tej, Limaj ka thënë se drejtuesit e institucioneve në Kosovë duhet të tregojnë lidership të vërtetë në këto rrethana në të cilat po kalon vendi.
“Është përgjegjësi e udhëheqësve të forcave politike dhe institucioneve shtetërorë të Kosovës që t’i lemë anash dallimet dhe të veprojmë me gjakftohtësi të madhe në interes të vendit.
Kosova nuk guxon të humbas orientimin e saj dhe duhet t’i përgjigjemi me kujdes situatës, si dhe në të njëjtën kohë jam i bindur se ne do të dalim me të fortë nga kjo situatë”, thotë ai.

Kreu i Nismës bën të ditur se kryeministrit Rama është shprehur i gatshëm të ofroi gjithë ndihmën e shtetit shqiptar në çdo proces nëpër të cilat mund të kaloj Kosova.

16:40: Kryeministri Rama takohet me Avdullah Hotin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka shkuar ditën e sotme për një vizitë në Kosovë dhe po takohet më të gjithë drejtuesit politik.

Pas takimit që kishte me Vjosa Osmanin, kryetaren e Parlamentit të Kosovës, Rama është në një takim me homologun Avdullah Hoti.

Më pas ai pritet që të takohet me Isa Mustafën dhe Albin Kuritin.

Në kuadër të vizitës në Kosovë, kryeministri Rama sonte do të takohet edhe me presidentin Hashim Thaçi.

17:15: Nis takimi i Ramës në selinë e Vetëvendosjes

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në vazhdën e takimeve të sotme me liderët politikë në Kosovë, i ka shkuar në selinë e partisë, ish kryeministrit, Albin Kurti.

Për dallim prej takimeve të kaluara, kryeministrin shqiptar nuk doli për ta pritur lideri i VV-së, Albin Kurti, por nënkryetari, Glauk Konjufca.

Rama gjatë ditës sotme ka takuar kryeministrin Avduallah Hoti, kryeparlamentaren, Vjosa Osmani, si dhe kryetarin e Nismës, Fatmir Limaj.

Derisa pritet të takojë kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli dhe presidentin Hashim Thaçi.

18:16: Rama takim me Veselin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në kuadër të takimeve të sotme me drejtues të partive politike në Kosovë, është takuar me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli.

Sikur në takimet tjera, as nga ky takim nuk ka pasur deklarata për media. Kryeministri Rama gjatë ditës së sotme ka takuar kryeministrin Avdullah Hoti, kryeparlamentaren, Vjosa Osmani, kryetarin e Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj, si dhe ka vizituar Lëvizjen Vetëvendosje.

Po ashtu Rama pritet të takojë edhe presidentin Hashim Thaçi sonte pasdite.

19:30: ​Rama takim me Thaçin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama pas takimeve me liderët e partive politike, sot pasdite është takuar edhe me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi.

Edhe ky takim është i mbyllur për media sikur të gjitha takimet që ishin me drejtues të partive politike.

Ndërsa, prej orës 19:45, presidenti Thaçi dhe kryetari i PDK-së Kadri Veseli do të shtrojnë darkë për kryeministrin Rama.

Rama gjatë ditës së sotme ka takuar edhe kryeministrin Avdullah Hoti, kryeparlamentaren, Vjosa Osmani, kryetarin e PDK-së Kadri Veseli, atë të Nismës Fatmir Limaj, si dhe ka vizituar Lëvizjen Vetëvendosje, ku është pritur nga nënkryetari Glauk Konjufca.

Vizita e kryeministrit Rama në Prishtinë vjen pas propozim-aktakuzës nga Gjykata Speciale në Hagë ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së Kadri Veseli për kinse krime lufte. Ai do të vazhdojë takimet e tij me krerë të partive politike gjatë ditës së nesërme./KosovaPress/

Rama vizitë dy ditore në Kosovë, ja me kë do të takohet

Top Channel