‘Kërcënimi’ nga pandemia, Lisbona në dyshim për Champions

26/06/2020 13:33

As koha për tu mësuar me Lisbonën si qytetin e fazës finale të Champions, dhe sërish dyshime pa fund.

Shpërthimi i një vatre të re të pandemisë në qytetin portugez ka krijuar sërish hije dyshimi për turneun elitar të futbollit europian që është në program nga 12 deri në 23 Gusht. Sigurisht që numrat e të infektuarve me koronavirus deri më tani janë të kontrollueshëm, por UEFA ka kërkuar detaje dhe informacion shtesë nga autoritetet, për të marrë në konsideratë edhe prezencën eventuale të tifozëve, në numër të limituar.

Edhe pse ka treguar optimizëm, kryeministri portugez Antonio Kosta ka vendosur masa të rrepta kufizuese dhe ka urdhëruar mbylljen e 19 lagjeve në kryeqytetin luzitan. Situata nuk është dramatike, por shqetësuese, dhe këtu futbolli kalon në plan të dytë.

Lisbona u zgjodh si qyteti organizator për “Final 8” pasi siguria ishte optimale krahasuar me pjesën tjetër të kontinentit, dhe se në garë për Ligën e kampioneve nuk kishte asnjë skuadër portugeze të mbetur në garë. UEFA po mendon për një plan alternativ, në rast se në Korrik do të rëndohet situata.

Top Channel