Zgjedhje paraprake të rëndësishme në tre shtete amerikane

24/06/2020 04:04

Votuesit në tre shtete amerikane të martën vendosin fituesin në zgjedhjet e rëndësishme paraprake për të përcaktuar kandidatët për senat dhe anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve. Sfida kryesore do jenë në Kentaki, ku demokratët do të zgjedhin kandidatin e tyre që do të konkurrojë ndaj udhëheqësit të shumicës në senat, republikanit Mitch McConnell. Gara tjetër e rëndësishme është ajo në Nju Jork, ku ligjvënësi veteran Eliot Engel po përballet me një rival demokrat të krahut të majtë.

Në garën në Kentaki, anketat tregojnë për një garë të ngushtë mes ish pilotes së Marinës amerikane, Amy McGrath, e cila humbi me një rezultat të ngushtë zgjedhjet paraprake të vitit 2018, dhe zotit Charles Booker, ligjvënësit demokrat që ka shërbyer si anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve nga kjo zonë për 35 vjet. McGarth ka marrë mbështetjen e udhëheqësit të pakicës demokrate në senat, Chuck Schumer dhe ka mbledhur 41 milionë dollarë në fonde për fushatën, ndërsa Booker mbështetet nga krahu i majtë i partisë demokrate, përfshirë senatorët Bernie Sanders dhe Elizabeth Warren, dhe mblodhi 4 milionë dollarë për fushatën e tij.

Për të luftuar frikën nga përhapja e koronavirusit, qyteti më i madh i shtetit, Louisville, me 600,000 banorë, vendosi të hapte vetëm një qendër votimi, të pajisur me dhjetëra stacione votimi dhe deri në mesditë dukej se radhët e votuesve po lëviznin shpejt. Fituesi i garës së demokratëve në Kentaki do të përballet në nëntor me udhëheqësin e shumicës republikane, Mitch McConnell, i cili ka mbështur agjendën legjislative të Presidentit Trump.

Në Nju Jork, ligjvënësi 73 vjeçar Eliot Engel, i cili more mbështetjen e figurave të rëndësishme të partisë demokrate, përfshirë Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, senatorin Chuck Schumer dhe ish Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton, përballet me kandidatin 44 vjeçar Jamal Bowman, i cili mbështet politika majtiste dhe ka marrë mbështetjen e ligjvënëses demokrate me të njejtat prirje, Alexandria Ocasio-Cortez. Në Virxhinia po zhvillohen zgjedhje paraprake për kandidatë për anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe senator, në të cilat është i përfshirë edhe senatori demokrat Mark Warner./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA