Për shkak të Covid-19, volejbolli shqiptar mbyll sezonin 2019-2020

24/06/2020 14:46

Pandemia koronavirus bën që volejbolli shqiptar të mbyllë përfundimisht përpara kohe sezonin 2019/2020.

Federata Shqiptare e Volejbollit me një komunikatë për shtyp bën të ditur marrjen e vendimit për të deklaruar të përfunduar kampionatet e kësaj disipline si për meshkuj dhe për femra duke marrë në konsideratë faktin që është ende në fuqi vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë për ndalimin e aktiviteteve në salla të mbyllura.

Për më tepër vetë Asambleja e kësaj Federate në 31 maj kishte vënë si afat përfundimtar 23 qershorin për rifillimin e kampionateve, diçka që nuk ndodhi për shkak të kushteve duke bërë që i gjithë sezoni të anulohet. Pasi e shpalli zyrtarisht sezonin të mbyllur, Komiteti Ekzekutiv i FSHV shpalli edhe skuadrat fituese të çdo grupi u bazuar te klasifikimet e kampionateve për kategoritë kryesore të volejbollit dhe të atyre për U20 femra dhe U21 meshkuj

Kështu për femra, skuadra e Mirditës shpallet fituese në Grupin A1, ndërsa Agroturizëm Huqi fiton Grupin A2. Për meshkuj, Erzeni ishte ai që doli fitues te A1 teksa ishte në krye të renditjes së klasifikimit në momentin e ndërprerjes së kampionatit. Përsa u përket U20 për të reja, Skënderbeu shpallet skuadra më e  mirë, ndërsa të U21 meshkuj triumfoi Farka Volley.

Në të njëjtën kohë, FSHV vendosi që ekipet fitues së bashku me skuadrat e tjera dhe ata që kanë fituar Kupën e Shqipërisë do të kenë të drejtën për të marrë pjesë në kompeticionet evropiane sigurisht në bazë të rregullave të përcaktuar nga CEV.

 

 

Top Channel