Martini: Jam i kënaqur me performancën e të gjithëve, nuk kam preferenca për shortin

24/06/2020 19:53

Trajneri i Teutës vlerësoi paraqitjen e skuadrës së tij në ndeshjen e kthimit çerekfinale ndaj Vllaznisë dhe u shpreh mjaft i kënaqur për kualifikimin në gjysmëfinale, ku theksoi se nuk ka preference për shortin.

Pas një starti jo fort të mirë, duket se skuadra është kthyer në rrugë të mbarë dhe sot siguruat kalimin në gjysmëfinale…
Mendoj se bëmë një ndeshje shumë të mirë dhe e kontrolluam lojën, ndonëse u luajt në një orar të papërshtatshëm dhe me temperature shumë të larta. Ishim dominues gjatë gjithë lojës dhe arritëm të gjejmë edhe golin e avantazhit, që na dha qetësi për të menaxhuar më mirë minutat e fundit.

Kanë kaluar edhe Kukësi e Tirana, cilën do të preferonit në gjysmëfinale?
Ne kemi treguar se jemi të aftë të përballemi me të dyja si të barabartë, ndaj nuk kam asnjë preferencë. Jemi gati të përballemi me cilëndo skuadër që do të na japë short, qoftë Kukësi, Tirana apo skuadra që do dalë në mbrëmje.

Kallaku duket se ju jepte shumë frymëmarrje, kur tërhiqej në linjën e dytë…
Vllaznia ishte e rreshtuar shumë mirë mbrapa dhe për këtë arsye hapësirat ishin të pakta, ndonëse ne ishim përgatitur që të qarkullojmë sa më shumë topin dhe e bëmë mirë këtë. Cilësitë e Kallakut dihen tashmë, por sot u jap një notë të mirë të gjithë lojtarëve që luajtën.

A jua vështirësoi gjetjen e golit, fakti që Vllaznia u rreshtua shumë mbrapa?
Vllaznia erdhi për ta menaxhuar ashtu lojën dhe e bëri mirë në pjesën e parë, ndonëse ne i patëm rastet tona për të shënuar. Ne kishim edhe avantazhin e ndeshjes së parë, ndaj kjo na jepte qetësi në manovrën tonë.

Top Channel