“Lazarati” në Kretë/ Sekuestrohen 3.000 rrënjë kanabis, policia në ndjekje të dy grekëve dhe dy shqiptarëve

24/06/2020 09:01

Policia greke ka finalizuar një operacion për parandalimin e prodhimit të narkotikëve në zonën e Haniasë në Kretë.

Sipas njoftimit për shtyp të drejtorisë së policisë së Kretës u sekuestruan 3.000 rrënjë kanabis në madhësi të ndryshme, ndërsa janë shpallur në kërkim edhe pronarët e plantacionit, dy grekë dhe dy shtetas shqiptarë.

Policia greke thotë se kohët e fundit trafikantët e prodhojnë në Greqi kanabisin, mbas masave të rrepta që janë marrë në Shqipëri për parandalimin e prodhimit të hashashit.

Për këtë aktivitet organizatat përdorin punonjës shqiptarë të cilët kanë eksperiencë në kultivimin e drogës.

Autoritetet greke thonë se zonat më të nxehta të prodhimit të narkotikëve janë zona e Kretës, Peloponezi dhe zona malore e Trikallasë, ku sipërfaqet janë të mëdha,dhe pak të populluara.

Çdo vit në luftën kundër kanabisit hidhen mijëra forca policore të ndihmuara prej helikopterëve dhe dronëve, por fenomeni vazhdon të jetë në rritje.

Kanabis i prodhuar në Greqi konsiderohet si i cilësisë së mirë dhe shumica e tij dërgohet në vendet perëndimore, kryesisht në Holandë dhe Belgjikë.

Shumë grupe të të drejtave të njeriut kanë bërë thirrje për lejim të prodhimit dhe përdorimit të kanabisit, por deri tani qeveria ka lejuar vetëm prodhimin e kanabisit industrial, industria e të cilit ka një cikël qarkullues prej afro 20.milionë euro në vit, me një trend dyfishimi në vitet e ardhshme.

FOTO GALERI
3/6

Top Channel