Kupa e Shqipërisë, sot mësohen ekipet gjysmëfinaliste

24/06/2020 12:47

Sot luhen ndeshjet e kthimit të fazës çerekfinale të Kupës së Shqipërisë nga ku do të dalin skuadrat gjysmëfinaliste të kompeticionit të dytë më të rëndësishëm të futbollit në vendin tonë sfida që do të luhen në 16:30 dhe 19:30 dhe që do të transmetohen në DigitAlb.

Tirana është skuadra që e ka prerë praktikisht biletën për në raundin e ardhshëm të Kupës së Shqipërisë teksa e ka fituar ndeshjen e parë me Besëlidhjen me rezultatin e thellë 5-1. Skuadrës lezhjane që në 1/8 e finaleve eliminoi Partizanin këtë radhë do t’i duhet një mrekulli e vërtetë për të përmbysur këtë rezultat.

Kukësi do të presë skuadrën e Apolonisë, e vetmja përfaqësuese e Kategorisë së Parë në këtë fazë të kompeticionit. në ndeshjen e parë të zhvilluar në Loni Papuciu të Fierit, skuadra e Orges Shehit arriti të marrë një fitore 2-1 vetëm në çastet e fundit por që ka shumë vlera pasi ashtu sikurse Tirana, edhe verilindorët janë shumë pranë kualifikimit për në gjysmëfinale.

Sfida më interesante është ajo që do të luhet në Korçë mes Skënderbeut dhe Bylisit. Skuadra e Ilir Dajës do të kërkojë të përmbysë këtë rezultat për të qenë mes 4 më të mirave të Kupës së Shqipërisë, por në të njëjtën kohë do të kërkojë edhe një lloj revanshi kundrejt ballshiotëve për humbjen e pësuar prej tyre në çastet e fundit në kampionat fundjavën e kaluar.

Në Durrës Teuta do të luajë ndaj Vllaznisë, me skuadrën durrsake që ka një avantazh, përsa i përket kualifikimit duke qenë se në ndeshjen e zhvilluar në Loro Boriçi ka barazuar 2-2 me skuadrën shkodrane.

 

Top Channel