Barcelona kthehet të paktën për një ditë në krye të renditjes së klasifikimit në kampionatin spanjoll të futbollit.

Në Camp Nou skuadra katalanase me shumë vështirësi mundi Athletic Bilbaon me rezultatin e ngushtë 1-0 ne një ndeshje vërtet të komplikuar dhe tani pret rezultatin e sfidës mes Realit të Madridit dhe Mallorcas që do të luhet sot në orën 22:00 në “Alfredo Di Stefano”.

Sfida u duk që ishte e vështirë për skuadrën e Barcelonës që në fillimin e saj pasi Bilbao tentoi të lëndojë Barcelonën  që në minutën e dytë me Unai Lopez. Nga ana e saj Barcelona e qarkulloi më shumë topin, por e pati të pamundur të konkretizonte sulmet e saj edhe për meritë të mbrojtjes së skuadrës baske.

Në pjesën e dytë Barcelona u zhvendos në gjysmëfushën e Bilbaos, por herë pas here linte hapësira prapa që mund të shfrytëzoheshin më mirë nga baskët, por në minutën e 71, ankthi largohet nga futbollistët e Barcelonës që gjetën më në fund golin me Ivan Rakitic, i cili u gjet i lirë nga Messi me kroatin që nuk gaboi dhe e dërgoi topin në rrjetë.

Goli goditi Bilbaon ndërkohë që Barcelona pati shanse për të shënuar edhe golin e dytë me Ansu Fatin dhe vetë Messin, me argjentinasin që edhe këtë radhë nuk mundi dot të shënojë golin e tij të 700 në karrierë që do të ishte dhurata që do t’i bënte vetes për 33 vjetorin e tij të lindjes.

 

Top Channel