Zgjedhjet në shtetet amerikane mund të pëcaktojnë fatin e ligjvënësve veteranë në Uashington

23/06/2020 03:40

Të martën tre shtete amerikane do të zhvillojnë votime. Vëmendja është përqendruar tek zgjedhjet paraprake mes demokratëve për Senatin amerikan në shtetin Kentaki. Fituesi do të përballet me udhëheqësin e shumicës republikane në Senat, ligjvënësin Mitch McConnell në zgjedhjet e nëntorit. Në fokus është edhe sfida e ashpër mes demokratëve në Nju Jork kundër ligjvënësit Eliot Engel i cili ka 31 vjet që përfaqëson Nju Jorkun në Kongres.

Në shtetin Kentaki, ish pilotja e marinës ushtarake amerikane Amy McGrath duket se ka fituar mbështetjen e duhur drejt një përballje me zotin McConnell. Ajo ka mbledhur 41 milion dollarë fonde për fushatën, ndërsa ka fituar mbështetjen e figurave kryesore demokrate në vend në përpjekjet për të mundur ligjvënësit republikan, i cili ka shërbyer gjashtë mandate në Senat dhe shpesh pengon agjendën e tyre legjislative.

45 vjeçarja McGrath, e cila humbi në vitin 2018 në zgjedhjet për Dhomën e Përfaqësuesve, tani ndodhet në një situatë delikate përballë rivalit brenda demokratëve Charles Booker. 35 vjeçari Booker është ligjvënës i shtetit Kentaki i cili ka fituar mbështetjen e gazetave kryesore të atij shteti dhe demokratëve progresistë, të cilët e shohin ish piloten McGrath se anon më shumë ndaj qendrës. Afrikano-amerikani Booker ka grumbulluar më pak se 4 milion dollarë fonde për fushatën, por ka gjetur mbështetjen e votuesve të zemëruar nga trajtimi policor ndaj popullsisë me ngjyrë.

Ndërsa vëmendja kombëtare është përqendruar tek vdekja e George Floyd me 25 maj ndërsa ishte i ndaluar nga policia në Mineapolis, duke shkaktuar protesta në të gjithë vendin, vëmendja në Kentaki ka qënë tek vrasja nga policia në mars e afrikano-amerikanes Breonna Taylor, e cila ishte punonjëse e urgjencës në spital. 26 vjeçarja Taylor u vra nga policia në qytetin Louisville, ndërsa policia po ekzekutonte një urdhër kërkimi për drogë në apartamentin e saj, në atë që njihet si teknika pa trokitur në derë. Por policia kishte adresën e gabuar dhe nuk gjeti drogë.

Gjatë fushatës, kandidati Booker ka veshur një bluzë me mbishkrimin ku shprehet heqja e teknikës së kërkimeve nga policia pa trokitur në derë.
Gjatë një ndalese ai u tha votuesve: “Po udhëtoj në mbarë Kentaki dhe po flas mbi racizmin në strukturë dhe po shikoj njerëz, madje 99 përqind të bardhë që ngrenë grushtin në ajër sepse ata e dinë se nuk mund të lëmë që ky moment të kalojë.”

Ligjvënësi kryesor demokrat në SenatCharles Schumer ishte një përkrahës i hershëm i zotit McGrath. Por kohët e fundit demokratë të tjerë progresistë si senatorët Bernie Sanders dhe Elizabeth Warren kanë shprehur mbështetje për zotin Booker, duke lënë dyshime për rezultatin e së martës.
Kushdo që fiton mes demokratëve do të ketë një përballje të fortë me 78 vjeçarin McConnell, një figurë e rëndësishme në Kentaki dhe strukturën e pushtetit në Uashington. Ligjvënësi republikan ka qënë një mbështetës i vendosur i propozimeve legjilative të Presidentit Donald Trump si dhe emërimit të gjykatësve konservatorë. Për më tepër, Presidenti Trump gëzon popullaritet në Kentaki, ku fitoi ndjeshëm në vitin 2016.

Nju Jork
Në votimet e tjera të së martës, 73 vjeçari Eliot Engel i cili drejton Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Mardhënie me Jashtë, po ashtu po sfidohet nga kandidati afrikano-amerikan 44 vjeçar JamaalBowman, drejtor i një shkolle të mesme i cili nuk ka kandiduar ndonjëherë për ndonjë post.
Sikurse Booker në Kentaki, zoti Bowman po mbështet politika më të majta se zoti Engel, me shpresën për t’i zënë vendin ligjvënësit që ka shërbyer për 16 mandate rrjesht.

Zoti Engel ka mbështetjen e figurave kryesore në Uashington, përfshi Senatorin Schumer, Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi si dhe ish Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton, e cila humbi zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 përballë zotit Trump. Por progresistët në Nju Jork kanë shprehur mbështetje për zotin Bowman, përfshi këtu edhe ligjvënësen Alexandra Ocasio-Cortez, e cila fitoi papritur në vitin 2018 kundër një kongresmeni demokrat me baza të thella në Nju Jork.

Në pjesën veriore të shtetit të Nju Jorkut, në një distrikt normalisht të ngurtë republikan, demokrati Nate McMurray dhe republikani Chris Jacobs, po përpiqen të zënë vendin e lënë bosh nga republikani Chris Collins i cili dha dorëheqjen ndërsa pranoi fajësinë lidhur me akuzat federale për informacione të brendshme për tregjet financiare. Fituesi do të përfundojë një gjysëm viti të mbetur nga mandati dy vjeçar i ligjvënësit të mëparshëm. Pavarësisht se kush fiton, McMurray dhe Jacobs ka të ngjarë të përballen përsëri në nëntor për një mandat të plotë dy vjeçar në Dhomën e Përfaqësuesve.

Virxhinia
Në shtetin Virxhinia po ashtu po zhvillohen disa zgjedhje brenda partive për vende në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin amerikan. Brenda republikanëve po bëhen zgjedhjet për kandidatin që do të përballet në nëntor me demokratin Mark Warner, i cili ka shërbyer dy mandate në Senat.
Mes tre konkurentëve republikanë që po luftojnë për t’u përballur me zotin Warner janë mësuesja Alisa Baldwin, oficeri i zbulimit ushtarak Thomas Speciale dhe veterani i ushtrisë amerikane Daniel Gade, i cili humbi këmbën e djathtë në vitin 2004 gjatë luftës në Irak dhe aktualisht është profesor në Universitetin Amerikan në Uashington./VOA

Top Channel