Putin për një tjetër mandat/ Nëse miratohen ndryshimet e kushtetutës, sërish do të jetë president i Rusisë

23/06/2020 01:38

Presidenti rus, Vladimir Putin ka lënë të kuptohet në një intervistë të fundit se do të kandidojë sërish për president nëse një seri amendamentesh të kushtetutës që do ta lejonin atë ta bënte këtë do të miratohen në referendumin e 1 korrikut. Sipas ligjit aktual, Putin duhet të dorëhiqet si president në 2024 kur mandati i tij në detyrë të mbarojë.

Amendamentet ndërkohë do t’i hapnin rrugë atij të qëndronte në pushtet edhe pasi ky mandat të përfundojë, ndoshta deri në 2036. Ndryshimet e kushtetutës janë miratuar tashmë nga ligjvënësit dhe nga gjykata supreme ruse. Në një intervistë të transmetuar në televizionin shtetëror rus, Putin tha se ai nuk përjashtonte mundësinë e kandidimit për një mandat tjetër nëse amendamentet do të miratoheshin nga zgjedhësit.

Nëse kjo nuk ndodh, brenda dy vjetësh – tha Putin, në vend të punës normale në të gjitha nivelet e pushtetit, të gjithë do të fillojnë të shohin vërdallë për pasuesin e mundshëm. Por ne duhet të vazhdojmë punën, jo të kërkojmë për pasues – tha ai. Putin ka shërbyer si president i Rusisë nga 2000-2008 dhe më pas u rikthye në rol në 2012. Nga 1999 deri në 2000, ai ka qenë kryeministër dhe e mori këtë pozicion edhe mes dy mandateve të tij presidenciale, nga 2008 deri në 2012.

Top Channel