Gola dhe spektakël, Villareal e Sevilla ndajnë nga një pikë në përballjen për “Champions”

22/06/2020 21:43

Vetëm tre ditë pas ia doli të ndalë në një barazim pa gola Barcelonën, Sevilla rezistoi mirë edhe në transfertë ne vështirë ndaj Villarealit, ku shmangu humbjen dhe mori një pikë falë barazimit 2-2.

Andaluzianët udhëtonin në “El Madrigal” për t’u përballur me një rival direkt për zonën Champions, pasi para takimit Villareali kishte vetëm 5 pikë më pak në renditje dhe një fitore mund ta fuste tërësisht në garë për t’u renditur mes 4 më të mirave.

Paco Alcacer zhbllokoi sfidën shumë shpejt për Villarealin, ndërsa Sevilla riktheu baraspeshën me Escuderon në minutën e 39’ të takimit. Megjithatë pjesa e parë do të shkonte në favor të “nëndetëses së verdhë”, që shënoi golin e avantazhit në minutën e katërt shtesë me anë të Torres.

Pjesa e dytë ishte mjaft e luftuar nga të dy skuadrat, ndërsa Sevilla gjeti golin e barazimit me anë të sulmuesit të rritur në akademinëe Barcelonës, Munir El Haddadi, i cili shënoi në minutën e 63-të të takimit.

Deri në vërshëllimën finale të takimit, të dy skuadrat patën mundësi të mira shënimi, por nuk ia dolën dhe në fund u kënaqën me nga një pikë, rezultat ky që kënaq më shumë Sevillan, pasi tashmë andaluzianët do të jenë më të qetë në ruajtjen e vendit në zonën Champions.

Top Channel