Virusi në thertore/ Kthehet izolimi në Gjermani?

20/06/2020 20:34

Shpërthimi i virusit në një thertore në landin gjerman, Renani-Veriore Vestfali, ka bërë që i gjithë rajoni të kërcënohet sërish nga izolimi.

Kryeministri i landit, Armin Laschet thotë se ende mund të lokalizohet zhvillimi i infektimeve në qarkun Gütersloh,, por nëse gjendja ndryshon, atëherë ai nuk e përjashtin rikthimin e karantinës për zonën. Politikani i CDU-së shikon një problem të madh në përhapjen e gjerë të vendbanimeve të punëtorëve të thertores, Tönnies.

Sipas tij punëtorët jetojnë në disa qytete, jo vetëm në Gütersloh, por edhe Ham, Soest, Bielefeld etj. Në Ham u mbyllën 3 shkolla deri në pushimet e verës, pasi tre fëmijë të punëtorëve të Tonnies rezultuan pozitivë me virusin. Sipas Laschet është ngritur edhe një shtab krize. Ministrja e Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer ka premtuar ndihmën e ushtarëve të Bundesvehrit në këtë zonë. Nga rreth 7000 punonjës, 3500 janë testuar, dhe 850 prej tyre janë të infektuar.

Laschet i bëri thirrje të gjithëve banorëve të rajonit të respektojnë distancën dhe rregullat e higjienës. Sipas një zëdhënësi të ministrisë së Shëndetësisë në Berlin tani fokusi është përqendruar tek ndërprerja e shpejtë e zinxhirëve të infektimit. Një rregullore e re parashikon që të bëhen teste masive të paguara nga sigurimet shëndetësore.

Top Channel