“Përshtatet në mënyrë të përsosur te Freiburg!”, Abrashi firmos rinovimin

18/06/2020 19:35

Ndonëse ka luajtur vetëm 11 takime këtë sezon, kjo për shkak edhe të problemeve fizike, Amir Abrashi vijon të gëzojë respekt te klubi i Freiburgut dhe për këtë arsye palët kanë rënë dakord për zgjatjen e kontratës.

I ardhur te Freiburg në verën e 2015-ës nga zviceranët e Grasshopers, Abrashi ka luajtur më tepër se 90 takime me këtë klub, ndërsa drejtuesit e vlerësojë shumë shqiptarin për shpirtin e tij luftarak dhe gatishmërinë që tregon vazhdimisht.

“Amir Abrashi thjesht përshtatet në mënyrë perfekte te Freiburg. Energjia që ai tregon në fushë dhe jashtë saj, është shumë e rëndësishme për ekipin tonë dhe strukturat e tij. Ne jemi shumë të kënaqur që ai ka këto cilësi dhe vijon të na i vërë në dispozicion”, deklaroi Drejtori Sportiv i Freiburgut, Klemens Hartenbach.

Ashtu siç ka ndodhur edhe herë të tjera mes palëve, edhe në këtë rast klubi dhe futbollisti vendosën të mos i bëjnë të ditura detajet e marrëveshjes së re, si afati i zgjatjes së kontratës dhe paga vjetore e 30-vjeçarit Abrashi.

Top Channel