Gardisti që hyri në banesë për të vjedhur kokainë: Kam qenë efektiv i mirë, s’kam lidhje me ngjarjen

18/06/2020 14:10

Të tjera detaje dalin nga plani për grabitjen e 4 kg kokainë në shtëpinë e 45-vjeçarit E M., në rrugën “Frederik Shiroka” në Tiranë.

Hetimi i komisariatit numër 2 së bashku me SHÇBA, i nisur pas një kallëzimi nga një qytetari i cili dyshonte se kishin tentuar t’i vidhnin me armë banesën në kryeqytet, çoi mes të tjerash në pranga edhe Gylin, që punon në Gardën e Republikës.

“Kishim bërë plan që së bashku me dy të tjerë të vidhnim katër kilogramë kokainë në banesën e E.M”- kështu e nisi njëri nga të dyshuarit rrëfimin e tij , duke ekspozuar emrin e njërit prej bashkëpunëtorëve që më pas rezultoi se ishte realisht efektiv i Gardës së Republikës dhe quhet A.Kala tha një burim pranë policisë për gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha më herët.

Gjyqtari Albert Meçe shqyrtoi masat ndaj efektivit të gardës A.kala, si dhe bashkëautorëve të tij Andi Shkurti, Spartak Qoku , Emel Hajdaraj, të cilët morën të gjithë masën arrest me burg.

Një person i shpallur në kërkim i kishte dhënë informacion grupit se në një banesën e E.M kishte kokainë. Efektivi i gardës tha në gjykatë ” kam qenë snajperist, kam qenë efektiv i mirë, s’kam lidhje me ngjarjen”.

Por prokuroria këmbënguli gjatë masës me dyer të mbyllura se efektivi i ka dhënë armën e shërbimit Spartak Qokut për të kryer grabitje.
Gardisti shfaqet në kamera, këmbënguli prokurori, dhe objekt i tyre ishte vjedhja e kokainës.

Ndonëse i zoti i shtëpisë kallzoi kërcënimin dhe mohoi të kishte drogë në shtëpi , prokurori sipas burimeve të gazetares Anila Hoxha tha gjatë seancës me dyer të nbyllura ” E.M është marrë nën hetim për mbajtje të lëndës narkotike në shtëpi, pasi shoku i tij me nofkën beratasi , ka furnizuar grupin me informacione. ” kemi dyshime se edhe e.m mund të përfaqësojë një grup kriminal, nga kqyrja e deritanishne e tabulateve.

E M. kishte dëgjuar disa zhurma që vinin në oborrin e shtëpisë së tij një mbrëmje nga fundi i majit, por nuk u kishte kushtuar shumë rëndësi. Megjithëse pikërisht atë natë, gardisti, që e thërrisnin “Gyli”, bashkë me grupin e tij, që njiheshin edhe me nofkat “Lupino”, “Çerri” dhe “Çuçi” etj kishin tentuar për herë të parë të realizonin grabitjen. Duke përdorur një shkallë druri që të futeshin nga ballkoni i shtëpisë së 45- vjeçarit, ata kishin ndërmend që, pasi të kërcënonin me armë Endri M., të grabisnin drogën, për të cilën kishin informacion se ai e mbante në shtëpi.

Top Channel