Egbo heq presionin: Finalja e radhës, Zoti do të na e shpërblejë

18/06/2020 19:32

Ndeshja me Teutën i përket së shkuarës, tashmë është momenti qe skuadra e Tiranës t’i kthehet rezultateve pozitive, për të mos e rrezikuar më shumë vendin e parë. Pavarësisht humbjes me Teutën, që erdhi pas një serie të gjatë rezultatesh pozitive, trajneri Egbo reflekton qetësi. Sipas tij, skuadra duhet të mendojë vetëm për sfidat në vazhdim.

“Çdo ndeshje është si finale për ne dhe do futemi në fushë për të marrë maksimumin. Mund ta marrim si mësim takimin me Teutën. Nëse më parë ishim 100% gati, tani duhet të jemi 200% gati. Nuk jemi aspak në presion, jemi të qetë”.

Humbja nuk i ka vënë aspak nën presion kryesuesit, teksa Egbo shprehet se nëse ekipi jep më të mirën, puna do të shpërblehet.

“Do të jemi të shqetësuar nëse futemi në fushë dhe nuk japim maksimumin. Nëse futemi në fushë dhe japim maksimumin, Zoti do të na e shpërblejë. Pas Koronavirusit, u kam thënë çunave se të gjitha ndeshjet do të jenë si finale, nuk ka ndeshje të lehta as të vështira”.

Pyetjes për rreth çështjes “Ngo’o”, nigeriani iu përgjigj?

“Ngo’o ka dhënë më shumë asiste se të gjithë në skuadër, por ai duhet të vazhdojë të bëjë më mirë. Është gjithçka shumë në rregull me të dhe nuk kemi probleme”.

Top Channel