7 persona të infektuar me Covid-19 kanë humbur jetën gjatë 24 orëve të fundit në Maqedoninë e Veriut, ndërsa 6 janë shëruar.
Për herë të parë që nga fillimi i pandemisë në këtë vend, të mërkurën u shënua kështu një numër viktimash më i lartë se numri i të shëruarve. Mosha e viktimave të 24 orëve të shkuara, luhatet nga 46 deri në 87 vjeç. Tre viktima janë nga Shkupi, 2 nga Tetova dhe 1 nga Shtipi.
Një prej pacientëve madje ka ndërruar jetë ndërsa transportohej me ambulancë ndërsa katër të tjerët ishin shtruar në spital dy ose tre ditë më parë. Për sa i takon rasteve të reja, autoritetet raportuan 125 infektime në 24 orët e shkuara, shifër kjo që në krahasim me një ditë më parë, shënon rritje. 71 për qind e rasteve janë regjistruar në kryeqytetin Shkup. Ndërsa në Shtip, deri më tani, gjithsej 126 punonjës të fabrikave të tekstilit kanë rezultuar pozitivë. Bashkë me shifrat e fundit, në total janë 164 viktimat e regjistruara në Maqedoninë e Veriut që nga fillimi i pandemisë.
Në nivel vendi janë 1536 rastet aktive me koronavirus dhe shifrat tregojnë një kryesim të Shkupit me gjithsej 944 raste aktive, i ndjekur nga Shtipi, Kumanova dhe Tetova. E ndërsa bilanci i koronavirusit në Maqedoninë e Veriut, vazhdon të rritet, që kur vendi filloi zbutjen e masave kufizuese të ndërmarra më herët, aleanca për shqiptarët thotë se e gjithë kjo vjen si pasojë e keqmenaxhimit të krizës nga ana e qeverisë dhe sipas saj, ministri i shëndetësisë, Venko Filipce si edhe koordinatori i krizës, Bujar Osmani, duhet të japin dorëheqjen.
Top Channel