Qeveria e Kosovës do të nisë zbatimin e një strategjie afatmesme për të përgatitur sistemin shëndetësor në rast të një vale të dytë të pandemisë me koronavirus, ka thënë kryeministri Avdullah Hoti, gjatë një takimi që ka zhvilluar me përfaqësuesit e Odës së Mjekëve të Kosovës.

Kjo qasje, sipas kryeministrit Hoti, është e nevojshme pasi masat e izolimit dhe distancimit fizik nuk mund të vazhdojnë të mbesin armët e vetme në luftën kundër këtij virusi.

“Për t’u rikthyer gradualisht në jetën tonë të zakonshme, duhet të krijohet një infrastrukturë mobile monitorimi dhe reagimi ndaj COVID-19 dhe ndoshta në të ardhmen, edhe ndaj epidemive të tjera”, është cituar të ketë thënë Hoti.

Sipas Hotit, kjo infrastrukturë përveç tjerash do të përfshijë kapacitetet për të kryer numër më të madh testesh, si virologjike ashtu edhe serologjike, në popullatën e përgjithshme simptomatike dhe asimptomatike si dhe krijimin e një strukture qendrore të mbikëqyrjes për analizën e të dhënave në kohë reale.

Në një komunikatë për media, përfaqësuesit e Odës së Mjekëve të Kosovës janë cituar t’iu kenë bërë thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe t’i respektojnë masat e nevojshme për ruajtjen e shëndetit, në veçanti duke i mbajtur maskat dhe duke e respektuar distancën fizike.

Nga data 8 shkurt deri më 9 qershor 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në Institutin e Shëndetit Publik janë testuar gjithsej 17,199 persona të dyshimtë me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Prej tyre 1,269 raste kanë rezultuar pozitive me koronavirus.

Gjatë kësaj perudhe, 31 pacientë kanë vdekur dhe 912 janë shëruar nga ky virus.

Top Channel