Zgjedhorja/ Deklarata e PPE-së: Reforma të zbatohet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe lokale

09/06/2020 13:40

Përmes një deklarate në Parlamentin Evropian, grupi i Partisë Popullore Evropiane ka thënë se vazhdon të përkrahë Shqipërinë në udhën e saj drejt Bashkimit Europian.

Sipas Michael Gahler, koordinator i grupit për Çështjet e Zgjerimit, zgjedhjet në respekt të Kodit Zgjedhor dhe të dakordësuar mes palëve duhet të jenë të lira dhe të ndershme.

Lexoni më poshtë deklaratën:

“Grupi i Partisë Popullore Europiane vazhdon të përkrahë Shqipërinë në udhën e saj drejt Bashkimit Europian. Prandaj ne e vlerësojmë marrëveshjen mes qeverisë e opozitës për një pjesë të rëndësishme të reformës së Kodit Zgjedhor në përputhje me standartet e BE dhe OSBE.

Kjo reformë duhet të përfundojë me këtë frymë dhe, mbi të gjitha, duhet të zbatohet në mirëbesim në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe lokale. Ato zgjedhje duhet të jenë të lira e të ndershme. Kjo është thelbësore për demokracinë në Shqipëri, por, gjithashtu, plotëson dy kushte të BE për fillimin e negociatave të antarësimit.

Ne u bëjmë thirrje autoriteteve të punojnë për përmbushjen e 15 kushteve që duhet të përmbushë Shqipëria në menyrë që të çelen negociatat. Ne insistojmë për anullimin e legjislacionit që rrezikon lirinë e shprehjes, si dhe për procedimin penal kundër atyre që kanë blerë vota në zgjedhjet e shkuara.”

Top Channel