Një mëngjes më uroj për një nga punët e mia. Ishte një mesazh aq i bukur dhe i dashur ndër dhjetëra që marr çdo ditë prej produkteve që realizojmë.

E vura re prej rreshtave që nuk ishte një njeri i zakonshëm. Sytë e buhatur prej gjumit nuk më kishin lënë të dalloja emrin. Kur e vura re kuptova përse ishte shkruar aq bukur. Ishte Zhuliana Jorganxhi, mjeshtrja e teksteve të këngëve të bukura të festivaleve të cilat i këndoja në fëmijërinë e hershme sapo shfaqeshin në ekran. Edhe sot habitem se si i mësoja aq shpejt. Por kur poeti është i mirë kisha lexuar, vargjet e tij të ngjisin në kujtesë deri sa jetë të kesh. Më shumë respekt dhe dashuri e falenderova. Por nuk mundja të mos i kërkoja se përse ishte aq shumë e talentuar. E dini përse? Lexoni më poshtë…

Zhuliana Jorganxhi u lind në qytetin e Korçës më 14 gusht 1946. Mësimet e para dhe ato të shkollës së mesme i kreu në qytetin e lindjes. Më vonë studimet e larta i kreu në Fakultetin Histori –Filologji, dega letërsi dhe gjuhë shqipe dhe njëkohësisht një kurs dyvjeçar i gazetarisë pranë Fakultetit Juridik dhe i Shkencave Politike.

Nga viti 1968 deri më 1974 ka punuar si gazetare në revistën “Shqiptarja e re” dhe prej vitit 1975 ka punuar si redaktore letrare në ish Redaksinë e Krijimtarisë dhe Inçizimeve muzikore në RTVSH.

Është autore e disa librave me poezi, tregime për fëmijë dhe të rritur. Autore e qindra teksteve të këngës, fituese e 7 çmimeve të para në Festivalin e RTVSH dhe 4 çmime të para në Koncertin “Kur vjen Pranvera” dhe shumë çmime të tjera në Koncertet e majit, etj. Zh. Jorganxhi jeton sot në Trieste të Italisë.

M. S.: Cilët janë ata libra që ndikuan në personalitetin tënd?
Zhuliana Jorganxhi
– Në shtëpinë time kemi pasur shumë libra, veçanërisht në gjuhën greke, se nëna ime e zotëronte shumë mirë këtë gjuhë, pasi kishte mbaruar gjimnazin grek, por unë dhe fëmijët e tjerë të saj nuk e mësuam dot këtë gjuhë. Ajo lexonte shumë “Iliadën”, “Odisenë” dhe na i tregonte si përralla. Vazhdoi të lexonte deri në pleqërinë e saj të thellë mbi 80 vjeç.

Kishim dhe shumë libra shqip, që i ishin dhuruar motrës si nxënëse e dalluar , si p.sh., “Novela sovjetike”, “Biri i regjimentit”, “100 letra“ të Ilia Erenbergut, por edhe libra që ati im, i kishte blerë për motrën dhe vëllain më të madh. Mund të them, që me autorë të mëdhenj botërorë jam lidhur qysh fëmijë. Ishte motra ime Rozmaria, që sa herë vinte me pushime gjatë kohës së studimeve të saj në Konservatorin e njohur “P. I. Çajkovkij” të Moskës, sillte pllaka me opera të ndryshme dhe aty jam njohur fëmijë me “Faustin” e Gëtes, “Boris Godunov” të Pushkinit”, “Dama Pik” përsëri të A. Pushkinit, etj. Me librin jam lidhur shumë, që kur isha në shkollën fillore. Atëhere kishte më shumë përkthime nga gjuha ruse për ne fëmijët e asaj kohe, në vitet ’50. Pastaj vetë ati im, më blinte librat që dilnin atëhere në qarkullim. Them, se librat , që pata lexuar me shumë endje kur isha ende në shkollën fillore, ishin “Aventurat e Din Pakut” të shkrimtarit rus Nosov dhe “Aventurat e Çipolinos” të Xhani Rodarit. Më vonë në adoleshencë kam lexuar shumë, por më kanë pëlqyer shumë atëhere libri “Kozeta“ nxjerrë nga libri “Të mjerët” të Viktor Hygoit, “Zemra” e Edmondo De Amiçit, “Princi dhe i varfëri” të M. Tuen-it dhe “Djemtë e rrugës Pal” të shkrimtarit hungarez Ferenc Molnar. Ky i fundit në fillim është botuar në gazetën “Pionieri”, që unë isha e abonuar dhe më vonë doli libër. Më ka mbetur në mendje atëhere dhe kam qarë duke e lexuar, “Vdekja e Nemeçekut”. Atëhere kam lexuar dhe librin e Mihal Gramenos “Varri i Pagëzimit”, që më ka tronditur si adoleshente që isha. Ndër kohë lexoja dhe poezi, se më pëlqente poezia dhe kam recituar nëpër mbrëmjet e shkollës poezi nga Pushkini, Migjeni ynë i madh etj. Libri, që ka ndikuar në personalitetin tim, them, që nuk ishte vetëm një. Do të veçoja nga rinia ime e hershme “Makbethi” të Shekspirit, “Tartufi” dhe “Don Zhuani dhe mysafiri i ngurtë” të Molierit, tregimet e Gogolit, tregimet dhe novelat e Çehovit. “Plaku dhe deti”, “Lamtumirë armë” i E. Heminguejt, “Tre shokë” E.M. Remarkut, “Një tragjedi amerikane” e T. Drajzerit, “Çitadela” të A. Kronin, “Një jetë” të Gi De Mopasanit, “Lulet e mollës” të Gollsuorthit, “Trëndafila me kredi” të E. Triolesë, “Saga e Forsajtve” të Gollsuorthit, tregimet e Pirandelos, që u botuan atëhere në librin “Jeta lakuriq”, tregime amerikane në librin “Një natë në Broduej” dhe tregime nga autorë të ndryshëm botërorë si “Dashuria për jetën”, etj. Nuk e harroj për ditëlindjen time një nga miket e mia më dhuroi librin me poezi “Kopshtari” të R. Tagorës me përkthim të Alqi Kristos. Ky libër më bëri të dashurohem edhe me shumë pas poezisë. Isha vetëm 15 vjeç. Atë ditë mësuesja kujdestare e klasës sonë në gjimnaz, e ndjera Luiza Karamitro Jole, më dhuroi librin e shkrimtarit amerikan O. Henrit “Rrugët e fatit”, që edhe ky libër la mbresa të mëdha tek unë. Atëhere isha e dashuruar dhe pas poezive të Fan.S. Nolit, që u botuan ato vite në një përmbledhje me titullin “Album”. Ishte poezia “Anës lumenjve”, që më ra si tezë për provimin e letërsisë në maturë dhe e kam recituar atëhere para komisionit. Gjithashtu nuk mund të le pa përmendur “Ditarin” e Ana Frankut, që në brezin tim ka lënë mbresa të pashlyeshme. Romanet e Balzakut si “Evgjeni Grande”, “Pjereta”, romani i Shollohovit “Doni i Qetë”, ”Kandidin” e Volterit, etj.

Në vitet e mia studentore, kam krijuar bibliot

ekën time, që arriti më vonë me dhjetra libra. Atëhere jam dashuruar pas autorëve grekë të antikitetit si Homeri me “Iliadën” përkthyer nga Gjon Shllaku, Aristoteli, Eskili, etj. Shumë nga këta të përkthyer mjeshtërisht nga Sofokli Papakristo, i mbaja si të thuash në nënkresë. Po kështu Danten e madh, sidomos “Ferrin”, përkthyer nga profesori im i latinishtes, i ndrituri Pashko Gjeçi, “Napoleonin” e E. Tarlè. Lexoja me shumë dëshirë veprat e Shekspirit të përkthyera mjeshtërisht nga i madhi ynë Fan S. Noli, “Don Kishotin” e Servantesit, të përkthyer përsëri nga Fan. S. Noli, poezitë e Brehtit., poezi nga autorë francezë, grekë etj. “Ana Karenina”, “Lufta dhe Paqja”, “Ringjallja” të L.Tolstoit dhe tregimet e tij, librin “Tregime dhe novela” të M. Gorkit (në veçanti tregimi Makar Çudra) , “Përrallat e Italisë”, dhe novelat e S. Cvajg-ut, “Gjeniu” i T. Drajzerit. Por, libri, që më ka “tronditur” atëhere ishte “Parajsa e humbur” e Xhon Miltonit, përkthyer shkëlqyeshëm nga Alqi Kristo dhe një libër me tregime nga Aleksej Tolstoi, veçanërisht tregimi në këtë libër “Nëpërka”. Nga ky autor mbaj mend dhe romanin triologji “Rruga e mundimeve”. Më ka pëlqyer “Mciri” i M. Lermontovit, përkthyer nga Jorgji Doksani, veçanërisht “Demoni”, i po këtij poeti rus. Romanet e Ismail Kadarese veçanërisht “Kronikë në gur” dhe shumë më vonë “Pallati i ëndërrave”.

M. S.: Cili është libri që aktualisht po lexon..?
Zhuliana Jorganxhi:
Libri me poezi “Kundërpërfytyrim” me poezi të mikes sime poete Natasha Lako. I jam kthyer disa herë këtij libri. Gjithashtu lexoj dhe poeten italiane Alda Merlini dhe Xh. Ungaretin dhe ata poetë, që i quanin “të mallkuar dhe ne, në rininë tonë na ishin ndaluar.. E kam zakon, që në të njëjtën kohë të lexoj dy -tre libra me poezi.

M. S.: Po libri që të ndryshoi jetën?
Zhuliana Jorganxhi:
Janë disa libra, që kanë ndikur në këndvështrimin e jetës dhe kanë ndryshuar jetën time. Si “Parajsa e humbur” e Xh. Miltonit përkthyer shumë bukur nga Alqi Kristo, libri “Fije bari” të Uitmanit përkthyer mjeshtërisht nga Profesori i nderuar Skënder Luarasi, “Mëhallat e botës e Janis Ricos-it përkthyer nga Spiro Çomora dhe mbi të gjitha romani “Zoti President” i Miguel Anhel Asturias, përkthyer shkëlqyeshëm nga i ndrituri Petro Zheji, në mos gaboj nga viti 1975. Ky libër, më ndihmoi edhe më shumë në këndvështrimin nga ana ime të jetës në vendin tim. Librat, që më ndryshuan jetën, mund të them se ishin dramat e Brehtit, “Tmerr dhe frikë në Rajhun e tretë” dhe “Arturo Ui” të përkthyera aq mjeshtërisht nga miku im, i ndrituri Robert Shvarc dhe drama “Shtrigat e Salemit”.

M. S.: Libri që të ndikoi më shumë për të shkruar ?
Zhuliana Jorganxhi:
“Lirikat” e të madhërishmit Lasgush Poradeci, “Fije bari” dhe “Mëhallat e botës”.

M.S.: Libri që është mbivlerësuar më shumë me pa të drejtë? Si e keni përjetuar ju atë?
Zhuliana Jorganxhi:
Nuk di ç’të them. Mund të ketë shumë, si ato që botohen sot si bestseller, p.sh., “Dyzet Hijet e Grisë”.

M. S.: Libri i fundit, që ju ka bërë të qeshni?

Zhuliana Jorganxhi: Për mua mbetet gjithmonë “Ushtari i mirë Shvejk”.

M. S.: Libri që nuk ke arritur ta përfundosh?

Zhuliana Jorganxhi: “Rruaza e katërt” fatkeqësisht, mos më gjykoni , por autorin nuk e mbaj mend. Kam qenë në gjimnaz atëhere dhe nuk arrita ta mbaroj.

M. S.: Libri që ju vjen shumë turp, që s’e keni lexuar ende?

Zhuliana Jorganxhi: Megjithëse kam lexuar shumë libra filozofikë, përsëri do të dëshiroja të lexoja edhe më shumë në këtë gjini, se na kanë munguar në rininë tonë. Gjithashtu edhe ato libra, që flasin në veçanti për Luftën e Dytë Botërore, që mbetet pasioni im, që në vitet e gjimnazit.

M. S. Libri më i hershëm që keni lexuar?

Zhuliana Jorganxhi: “Kozeta” e Viktor Hygoit dhe “Aventurat e Çipolinos” të Xhani Rodarit.

M. S.: Librin që jepni më shpesh si dhuratë?

Zhuliana Jorganxhi: Varet kujt ia dhuroj. Po qe se është një adoleshent i dhuroj një libër të fundit me aventura.

Top Channel