Megjithëse presidenti Ilir Meta nuk e ka në plan të konsultohet me partitë politike për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kjo nuk i ka stepur socialistët të shpallin preferencën e tyre për një datë, e cila mbart një simbolikë të fortë, atë të ditës kur kremtohet fitorja e aleatëve kundra nazi-fashizmit.

Ky  deklarim i numrit dy të PS-së, Taulant Ballës me datën 9 maj 2021, më shumë se një datë rutine zgjedhjesh është një përgjigje indirekte për presidentin se mazhoranca nuk do të pajtohet me ndonjë dekret të mundshëm zgjedhjesh përpara vitit 2021.

“Sa i përket zgjedhjeve parlamentare, sipas ndryshimeve të reja të Kodit, zgjedhjet parlamentare do të jenë më 9 maj të 2021. Kjo është një ditë shumë e mirë, presidenti duhet ta mendojë dhe ta dekretojë këtë datë, pasi zgjedhjet e ardhshme mund të përkojnë me ditën e fitores kundër pushtimit nazifashist, apo siç njihet ndryshe Dita e Evropës”, deklaroi Balla.

Top Channel