31 mijë maturantë çelën sot sezonin e provimeve të Maturës Shtetërore.
Në 486 qendra testimi u zhvillua provimi i parë, ai i gjuhës së huaj. Djem dhe vajza në mbarë vendin shpalosën dijet e tyre në kushte të pazakonta (krahasuar me vitet e shkuara), të pajisur me maska dhe doreza. Në sallë ishin të pranishëm mesatarisht 10 maturantë, ndërkohë që sipas udhëzimeve, bankat duhet të jenë në një distancë prej 1.5-2 metrash.
Siç ka zbuluar gazetarja e Top Channel-it, Kristi Gongo në konsultim me Ministrinë e Shëndetësisë, Ministria e Arsimit ka marrë vendimin që maturantët, të cilët shfaqin temperaturë të lartë nuk do të lejohet të hyjnë dhe do t’u jepet mundësia në sezonin e vjeshtës. Duke qenë matura e parë që testohen në kohë pandemie, është hartuar një rregullore e posaçme .
Të gjitha provimet do të fillojnë në orën 10:00 dhe do të zgjasin 2 orë, ndërsa testet do të jetë vetëm me alternativa. Temat e zhvilluara gjatë mësimit në distancë do të përjashtohen si pyetje provimi.
Datat e tjera të provimeve të Maturës Shtetërore:
1. Gjuhë Shqipe – 11 Qershor 2020
2. Matematikë – 15 Qershor 2020
3. Provimi me zgjedhje – 18 Qershor 2020
Top Channel