55-vjeçari Ardian Çapja pas plagosjes së sotme vazhdon të jetë në gjendje kritike edhe pse operacioni i tij ka përfunduar. .

Policia njoftoi më herët se ai u plagos para shtëpisë së tij në orën 09.37, në lagjen Emin Matraxhiu në Elbasan dhe pas kësaj ai u soll në spitalin e Traumës në Tiranë.

Plagosja e tij lidhet me një ngjarje tjetër, të ndodhur po sot në Elbasan pasi u gjet një makinë e djegur me një snajper brenda, me të cilin dyshohet të jetë qëllluar 55-vjeçari.

Ardian Çapja është një emër i njohur për policinë shqiptare, pasi edhe më herët është përfshirë në konflikte me persona të tjerë në qytetin e Elbasanit.

Një atentat ishte zhvilluar ndaj tij në vitin 2017, që kishte qenë i mirëorganizuar, ndërsa ai u qëllua me kallashnikov e armë të tjera. Në atë kohë, autorët dështuan në atentat, pasi ishin zbuluar më herët.

Autorët më 2017, të cilët ende nuk janë identifikuar, për të shmangur çdo dyshim, kishin modifikuar automjetin e përdorur prej tyre në mënyrë identike me atë të një prej fqinjëve të fisit Çapja, duke përdorur dhe targa të falsifikuara me numra të njëjtë. Pasi e kanë mbajtur nën vëzhgim për disa ditë, autorët kanë ndërhyrë në momentin kur Ardian Çapja po dilte nga banesa e tij. Ata kanë qëlluar nga një distancë e largët në momentin kur 49- vjeçari ka qenë pranë derës.

Ende nuk ka asnjë pistë konkrete për atentatin ndaj familjes Çapja më 2017, por më kryesorja lidhet me konfliktet e vjetra të fisit. Më 3 shkurt 2016 u vranë tre pjesëtarë të kësaj familjeje, kurse Florenc Çapja i shpëtoi një atentati të ndodhur në qershor 2016, ku mbeti i plagosur shoku i tij, Bledar Muça, me të cilin po udhëtonte në një makinë. Ndër vite, familja Çapja është akuzuar si e përfshirë në ngjarje kriminale, por edhe ka qenë pre e tyre.

Gjithçka ka nisur në vitin 2005, ku Sokol Çapja u përfshi në konflikt me ish-kreun e Qarkullimit Rrugor në Elbasan, Fadil Mema. Pas kësaj ngjarjeje mbeti i vrarë Sokol Çapja dhe si autorë u akuzuan nipat e oficerit të Policisë. Kjo pasoi me vrasjen e kunatit të Memës, Ardian Ibrahimi, në maj 2006.

Në vitin 2012, Gentian Beqiri, një nga të akuzuarit për vrasjen e Sokol Çapjes, u ekzekutua, ndërsa ishte lënë në arrest shtëpie. Ndërsa në mars 2015, në Torino të Italisë, u ekzekutua Fadil Mema.

Më pas, në shkurt 2016, mbetën të vrarë Agron Çapja, nipi i tij Ardit Sinakoli dhe Eno Bedalli, ndërsa mes tetë të plagosurve ishte dhe Florenc Çapja. Ndërsa në qershor 2016, Ardian Çapja, Florenc Çapja dhe Bledar Muça u arrestuan për sulm ndaj disa efektivëve civilë të Policisë pasi dyshonin se do të kryenin atentat ndaj tyre.

Top Channel