Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës: Qeveria Hoti po bën plane të kota me Thaçin, qytetarët do t’ua tregojnë serish vendin

08/06/2020 20:35

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës Arbërie Nagavci ka përmbledhur vendimet e deritanishme të Qeverisë Hoti, pas marrjes së pushtetit.

Në një postim në Facebook, Nagavci ka akuzuar Qeverinë Hoti se është shndërruar në qeveri të udhëhequr nga presidenti Hashim Thaçi.

Nagavci thotë se për vetëm tre muaj LDK nga Aprovimi i Programit Parimor të Qeverisë Kurti, nga të qenit pjesë e një Qeverie që ka buruar nga vullneti i qytetarëve, kaloi te heqja e reciprocitetit me Serbinë dhe formimit të një qeverie jo legjitime.

“Nga reciprociteti me Serbinë te nënshtrimi ndaj Serbisë akoma pa filluar dialogu, kjo pra është Qeveria jo legjitime, që kot dhe po i bënë planet me presidentin e saj. Plane që s’do mund të realizohen, sepse qytetarët edhe një herë do t’ua tregojnë vendin”, ka shkruar Nagavci.

Postimi i plotë:

Nga Qeveria demokratike me legjitimitet popullor te Qeveria e kontrabanduar me ndërhyrje të presidentit.

Me 6 mars 2020 Qeveria Kurti aprovoi Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitet 2020-2023. Një pjesë e veçantë e programit, saktësisht pika 12.3.2 përcaktonte angazhimet e Qeverisë në raport me dialogun, duke u bazuar në frymën e parimeve të reciprocitetit, përfshi këtu edhe çështjen e të pagjeturve, reperacioneve të luftës e okupimit. Në program përcaktohej po ashtu edhe zëvendësimi i tarifave doganore me masat e reciprocitetit të plotë.

Më 15 mars 2020 Kuvendi miratoi Rezolutën e iniciuar nga grupi parlamentar i LV! dhe grupi parlamentar i LDK-së, ku njëra nga tri pikat rikonfirmoi se është Qeveria e Republikës së Kosovës që ka mandatin të udhëheq bisedimet dhe dialogun me Serbinë.

Duke ditur qëndrimin parimor të Kryeministrit Kurti, duke pasur të votuar Programin qeverisës ku e zeza mbi të bardhë ishte e qartë se s’ka dialog pa parime, se s’ka cënim të sovranitetit, integritetit dhe shtetësisë së Republikës së Kosovës, Presidenti Thaçi e dinte se planet e tij s’mund të realizohet me këtë qeveri.

Duke pasur të qartë se me Albin Kurtin kryeministër nuk ka pazare me Serbinë, se s’ka plane me harta e se ai nuk është faktori vendimmarrës pa kushte, filloi Plani B. Presidenti u rikthye edhe një herë tek ata që dhe e bënë president, tek aleati i tij LDK.

Më 25 mars me iniciativë të LDK-së, u votua në Kuvend Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës, Qeverisë Kurti.

Më 3 qershor 2020, pas ndërhyrjeve direkte të presidentit Thaçi, me favorizime antikushtetuese, me vizita pas mesnate në shtëpi të deputetëve u votua qeveria e tij, Qeveria e udhëhequr formalisht nga Hoti që për herë të parë ka në kabinet edhe një zëvendësministër të Listës Serbe.

Më 5 qershor, Qeveria Hoti aprovon Programin Qeverisës ku fare nuk e përmend se është përgjegjësi e plotë e Qeverisë udhëheqja e dialogut, duke hapur kështu edhe formalisht rrugën për presidentin Thaçi.

Më 6 qershor, Qeveria jo legjitime shfuqizon vendimet e Qeverisë Kurti për reciprocitet me Serbinë. Ky vendim i Qeverisë Hoti përshëndetet menjëherë nga Thaçi, Vuçiq e Daçiq.

Pra nga 6 mars deri me 6 qershor, për vetëm tre muaj LDK nga Aprovimi i Programit Parimor të Qeverisë Kurti, nga të qenit pjesë e një Qeverie që ka buruar nga vullneti i qytetarëve, në mënyrë demokratike me zgjedhje të lira, kaloi te heqja e reciprocitetit me Serbinë dhe formimit të një Qeverie jo legjitime me AAK, Lista Serbe, Nisma e të tjerët, te Qeveria e Thaçit.

Nga reciprociteti me Serbinë tek nënshtrimi ndaj Serbisë akoma pa filluar dialogu, kjo pra është Qeveria jo legjitime, që kot dhe po i bënë planet me presidentin e saj. Plane që s’do mund të realizohen, sepse qytetarët edhe një herë do t’ua tregojnë vendin.

Top Channel