NBA rinis me 22 ekipe/ Koshat në 31 korrik në “Disney”

05/06/2020 14:23

Kampionati amerikan i basketbollit, liga më e fortë dhe më e bukur e planetit në këtë disiplinë, do të rikthehet në parket në 31 korrik në Disney World, në Florida, pa tifozë dhe me 22 ekipe në total.

Plani i propozuar nga komisoneri Adam Silver kaloi me 29 vota në favor dhe vetëm një kundër, atë të skuadrës së Portlendit, që gjithsesi nuk ishte mjaftueshëm për të cënuar planet e tifozëve që të paktën tani do të admirojnë NBA nga ekrani i vogël.

Skuadrat elitare do të rinisin llogaritë nga klasifikimi i 11 Marsit, dita e pezullimit të kampionatit të basketbollit amerikan. Sezoni do të vazhdojë me 88 ndeshjet e rregullta, 8 për secilën skuadër, çka do të definojnë edhe renditjen e do ti lejojë pronarët që të kalojnë kuotën e 70 ndeshjeve, duke siguruar kështu milionat nga e drejta televizive.

Në fazën e Play off në NBA do të shkojnë 7 ekipet e para të cdo konference ndërsa finalja e madhe pritet të kulmojë një të hënë të largët 12 tetori që tani duket një përjetësi.

Top Channel