“S’jemi VIP-a të politikës shqiptare”/ Opozita parlamentare letër Yuri Kim-it dhe Luigi Soreca-s

04/06/2020 17:15

Në një letër dërguar ambasadores së SHBA-së, Yuri Kim dhe atij të BE-së, Luigi Soreca, deputetët e opozitës parlamentare shprehen se janë përjashtuar nga procesi i negociatave për Reformën Zgjedhore.

Deputetët në fjalë kërkojnë “minimalisht trajtimin e barabartë me ata që janë jashtë Parlamentit”.

Ndër të tjera shkruhet:

“Ne nuk jemi VIP-a të politikës shqiptare, sepse jemi njerëz të thjeshtë. Ne nuk jemi miqtë e preferuar të ambasadave në Tiranë, të drekave dhe darkave aristokrate, megjithëse miqësia jonë për ju dhe shtetet (institucionet) tuaja lidhet vetëm me interesat e Shqipërisë, aspak me karrierat tona personale. Por ne jemi shqiptarë pasardhës të Ismail Qemalit, që nuk pranojmë të konsiderohemi në këtë proces si qytetarë të dorës së dytë, apo si kartona në dizpozicion të shumicës apo marrëveshjeve mes kundërshtarëve tanë politik, të dyja palët fajtorë të kësaj situate në Shqipëri.”

Më tej shtojnë:

“Deputetët e opozitës parlamentare, propozojnë:

Kodi i Ri Zgjedhor duhet të jetë pasqyrë e pastër e reflektimit të plotë, jo copa-copa, të të gjitha rekomandimeve të raporteve të njepasnjëshme të OSBE/ODIHR dhe aspak pazari i radhës së dy partive të mëdha, ose më mirë ish “të mëdha”, dhe të patericës së tyre presidenciale për komisionerët e tyre partiakë, që kanë qenë dhe mbeten kanceri i zgjedhjeve prej 30 vitesh. Ne jemi të gjithë në një mendje: Një pazar të tillë, që mund të duket si marrëveshje por që ka shkatërruar rekomandimet e vyera të eskpertëve të odihirit, ne nuk do ta votojmë

Ne jemi po ashtu të një mendjeje, që Kodin e ri Zgjedhor, nuk do ta votojmë, në rast se shumica në Kuvendin e Shqipërisë nuk do të na krijojë kushtet dhe garancitë për një dialog serioz, transparent dhe të hapur me ne, për kalimin nga listat e mbyllura tek listat e hapura.”

FOTO GALERI
1/5

Top Channel