6 muaj burg dhe gjobë prej 1.1 milionë euro për Diego Costan

04/06/2020 14:11

Sulmuesi spanjollo-brazilian i Atlético Madridit, Diego Costa, ka nënshkruar këtë të enjte paktin me Prokurorinë e Madridit për të shmangur burgun, teksa akuzohet për krim fiskal, mashtrim me pagimin e taksave.

Më konkretisht, ai akuzohet se nuk ka paguar më shumë se gjysmë milioni euro në pasqyrën e të ardhurave të vitit 2014. Ai ka ratifikuar marrëveshjen me organet e drejtësisë, teksa do të paguajë 36.000 euro për të zëvendësuar gjashtë muajt e burgut, që iu kërkua të bënte.

Marrëveshja u arrit midis avokatit të futbollistit dhe prokurorit. Duke marrë parasysh se ai tashmë ka paguar 1.1 milionë euro, u arrit ky dakordsim i ri. Gjithashtu, Diego Costa duhet të paguajë një gjobë prej 507.208 euro për shumën e mashtrimit.Prokurori fillimisht kërkoi në aktakuzën e tij 6 muaj burg për një krim kundër Thesarit. Costa ka shkuar këtë mëngjes në selinë e Gjykatës Provinciale të Madridit, i shoqëruar nga avokatët e tij. Gjyqi u mbajt për disa minuta, sa futbollisti ratifikoi marrëveshjen përkatëse.

Top Channel