Shkencëtarët besojnë se kanë identifikuar ajrin më të pastër në botë, pa pjesëzat e ndotura të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor dhe ai gjendet mbi oqeanin jugor, që rrethon Antraktidën.
Në një studim të parin të këtij lloji të përbërjes së bioaerosolit në oqeanin jugor, kërkuesit nga universiteti shtetëror i Kolorados, identifikuan një rajon atmosferik që mbetet i paarritshëm nga aktiviteti njerëzor.
Moti dhe klima janë të lidhura ngushtë mes tyre duke lidhur çdo pjesë të botës me rajonet e tjera. Ndërsa klima ndryshon shpejt për shkak të aktivitetit njerëzor, shkencëtarët stërmundohen të gjejnë një qoshe të tokës të paprekur nga njerëzit. Sidoqoftë, ata dyshonin se ajri mbi oqeanin jugor mund të ishte më i paprekur nga njerëzimi dhe pluhuri i kontinenteve të botës. Dhe kërkuesit zbuluan se shtresa kufitare e ajrit, që ushqen retë e ulëta mbi oqeanin jugor, ishte e pastër nga pjesëzat e aerosolit të prodhuara nga aktiviteti njerëzor.
Ndotja e ajrit shkaktohet nga aerosolët, që janë pjesëza solide dhe likuide të gazrave që gjenden në ajër. Kërkuesit vendosën të studionin se çfarë kishte në ajër dhe nga vinin ato, duke përdorur bakteret në ajër si mjet diagnostikimi për të përcaktuar përbërjen e atmosferës së ulët. Ata dolën në përfundimin se oqeani jugor është një nga të paktat vende në botë që është prekur minimalisht nga aktiviteti njerëzor. Dhe se ndotja apo emetimet e shkaktuara nga njeriu nuk udhëtojnë aq thellë në jug dhe ajri mbi oqeanin jugor mbetet vërtetë i kristaltë. Ndotja e ajrit është një krizë globale e shëndetit publik dhe vret shtatë milionë njerëz çdo vit, sipas OBSH. Studimet kanë treguar se ndotja e ajrit rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës, infarkteve dhe kancerit të mushkërive.
Top Channel