Gjashtëdhjetë vjet pasi fituesi i çmimit Nobel, Albert Camus, vdiq në një aksident automobilistik në moshën 46 vjeçare, një libër i ri argumenton se ai është vrarë nga spiunët e KGB-së, për shkak të retorikës së tij kundër-sovjetike.
Autori italian, Giovanni Catelli, fillimisht e nxori në dritë këtë teori në vitin 2011, duke shkruar në gazetën Corriere della Sera se kishte zbuluar shënime në ditarin e poetit dhe përkthyesit çek, Jan Zábarana, që sugjeronte se vdekja e Camus-së nuk kishte qenë aksidentale. Tashmë Catelli e trajton më gjerësisht kërkimin e tij në një libër të titulluar “Vdekja e Camus”. Camus vdiq më 4 janar 1960 kur botuesi i tij, Michel Gallimard, humbi kontrollin e makinës dhe u përplas më një pemë. Autori vdiq menjëherë, ndërsa Gallimard-i disa ditë më pas. Tre vite më parë, autori i romaneve “I huaji” dhe “Murtaja”, kishte fituar çmimin Nobel për “hedhjen e dritës mbi problemet e ndërgjegjes njerëzore në kohën tonë”.
“Aksidenti dukej se ishte shkaktuar nga një plasje e gomës ose nga thyerja e boshtit; ekspertët u habitën që ndodhi në një rrugë të drejtë e të gjatë, me gjerësi prej nëntë metrash dhe me pak lëvizje në atë orar”, shkroi Herbert Lottman në biografinë e tij të vitit 1978 për shkrimtarin. Catelli beson se arsyen e shpjegon një paragraf në ditarin e Zábrana-s: nga fundi i verës së vitit 1980, poeti shkroi se “një njeri i ditur e me njohje të mira” i kishte thënë se duhej fajësuar KGB-ja.
“Ata kishin vendosur një pajisje te goma, e cila në fund e shpoi kur automjeti po udhëtonte me shpejtësi të lartë”.
“Duket se atyre iu deshën tre vite për ta ekzekutuar urdhrin”, shkruhet në ditarin e Zábrana-s.
“Në fund ata arritën ta bëjnë në një mënyrë të tillë që deri më sot, të gjithë mendojnë se Camus vdiq nga një aksident i zakonshëm automobilistik. Ky burrë refuzoi të më tregonte burimin e tij, por tha se ishte plotësisht i besueshëm”.
Që prej vjeshtës së vitit 1956, Camus kishte mbajtur publikisht anën e revoltës hungareze dhe i kritikonte jashtë mase veprimet e sovjetikëve. Ai gjithashtu vlerësonte e mbështeste publikisht shkrimtarin rus, Boris Pasternak, i cili konsiderohej kundër-sovjetik. Catelli e ka studiuar për vite me radhë vërtetësinë e shënimeve të Zábrana-s. Në librin e tij, ai interviston vejushën e Zábrana-s, Marie-në, heton infiltrimin e KGB-së në Francë dhe përfshin dëshmi të cilët persona të tretë i kanë thënë avokatit francez, Jacques Vergès. Catelli ishte kontaktuar nga Giuliano Spazzali, një avokat italian, pas botimit të librit në italisht. Spazzali kujton një bisedë që pati me të ndjerin Vergès për vdekjen e Camus-së.
“Vergès u shpreh se aksidenti ishte planifikuar. Është opinioni im se Vergès kishte më shumë prova nga ç’u kujdes të ndante me mua. Por u përmbajta e nuk bëra më pyetje”, Spazzali i tha Catelli-t. Maturia është sjellja më e mirë kur diskutohet papritur një temë delikate. Nuk hetova më tej, e megjithatë e mbaj mend se si Vergès ishte i sigurt se aksidenti ishte planifikuar nga një seksion i KGB-së, me mbështetjen e inteligjencës franceze”. Catelli argumenton se e folura haptazi e Camussë po ndërhynte në marrëdhëniet midis Francës dhe Bashkimit Sovjetik, dhe se “karakteri i mirënjohur i Camus-së … spikaste në sytë e francëzeve si një kujtesë ndaj imperializmit mizor të Bashkimit Sovjetik. Si qeveria franceze, ashtu dhe ajo sovjetike, do të përfitonin jashtë mase nëse do ta shuanin këtë kujtesë të pakëndshme … Nuk u krye asnjë hetim i mirëfilltë”.
Familja e Catelli-t tha se teoria e tij nuk u mbështet nga vajza e Camus-së, Catherine, e cila ia ndaloi shtëpisë botuese Gallimard që të citonte veprën e babait të saj. Sidoqoftë, ky libër është botuar në Francë, Argjentinë e Itali, dhe ka marrë mbështetjen e shkrimtarit amerikan, Paul Auster, i cili e quajti bindës argumentin e Catelli-t. “Një konkluzion i tmerrshëm, por pasi e asimilova provën që na dha Catelli, bëhet e vështirë të mos biesh dakord me të. Ndaj dosja “aksident automobilistik” tani duhet vendosur në një sirtar tjetër me mbishkrimin “vrasje politike”, e kështu e heshtën Albert Camus-në kur ishte 46 vjeç”, shkruan Auster në një parathënie. Shpresoj se studiuesit nuk do ta marrin të mirëqenë opinionin e vjetër se ishte një aksident i thjeshtë”, u shpreh Catelli, i cili po bisedon me botuesit anglezë për një përkthim në anglisht.
“Mendoj se duhet ta bëjmë në kujtim të Albert Camus-së”. Pedagogia e letërsisë franceze në Universitetin Cambridge, Alison Finch, nuk është bindur.
“Mbështetësit e teorisë së vrasjes përfshijnë një shkrimtar kreativ e regjisor filmash (Paul Auster); një shkrimtar e përkthyes çek, familja e të cilit është persekutuar nga regjimi komunist dhe që kishte arsye të fortë ta urrente komunizmin (Jan Zábrana); avokatin tejet polemik, Jacques Vergès, i cili, për të qenë i sigurt, mbrojti luftëtarët algjerianë të pavarësisë që u torturuan nga francezët, por që u bë famëkeq pasi mbrojti të pambrojtshmen. Sigurisht, ligji këtë duhet të bëjë, por në përgjithësi ai do të shihej si një rebel në vend të një kritiku të besueshëm”. Finch gjithashtu vuri në pikëpyetje sugjerimet për përfshirjen e francezëve. “Kjo do të nënkuptonte se vrasja ishte aprovuar në nivelet më të larta, me shumë gjasa nga De Gaulle.
Kjo për mua është e paarsyeshme. De Gaulle, një shkrimtar i arrirë, kishte respekt të madh për intelektualët francezë, përfshi dhe ata me të cilët kishte bindje të kundërta”, tha ajo. Libri Vdekja e Camus-së mbyllet me Catelli-n që shpreson se do të paraqiten më shumë prova, “përpara se valët e kohës të mbulojnë gjurmët e brishta të asaj që ka ndodhur”.
Marrë nga “The Guardian”/ Përktheu David Hudhri
Top Channel